Sot mbledhje për Flamurtarin, Idrizi: Presim të miratohet projekti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2020 | 8:31

Sot mbledhje për Flamurtarin, Idrizi: Presim të miratohet projekti

Këshilli Bashkiak i Vlorës vendos sot për të ardhmen e Flamurtarit. Mbledhja do të nisë në orën 10:00 në ambientet e stadiumit. Drejtori i Shërbimeve në bashki, Gentjan Sherifi, u takua dje me Sinan Idrizin për të diskutuar modalitetet e infrastrukturës për këtë mbledhje. Për “Panorama Sport”, administratori tha se sot do t’u kërkojë këshilltarëve që të nisë nga Vlora iniciativën për të mos miratuar më asnjë fond për futbollin, madje as për Orikun. “Është një mbledhje që do të flasim sy më sy për Flamurtarin. Do të ndahen ato që do të jenë gjërat e rrugëtimit tonë të mëvonshëm.

Sinan-Idrizi

Ka ardhur këtu edhe përfaqësuesi i bashkisë, që gjej rastin ta falënderoj. Nesër (sot) është një mbledhje e hapur për të gjitha gjërat, nga A-ja deri në ZH. Rutina që do të diskutohet është kalimi me kushte për 1 vit në përdorim i Flamurtarit. Kur flasim për ‘përdorim’ është pak fjalor i rëndomtë, por kështu ka ardhur kjo histori tani, deri në momentin që do të kemi ligjin e sportit. Unë jam i bindur se këtë herë nga Bashkia e Vlorës do të dalë një histori rrugëtimi në sportin shqiptar, jo i atyre që vijnë e marrin ca para dhe ikin, por i atyre që duan realisht të investojnë në sport. Të ndërmarrim një nismë që asnjë lek nga taksapaguesit vlonjatë të mos shkojë për sportin, as për Flamurtarin dhe as për Orikumin”, tha fillimisht ai.

DETYRIMET – Nuk kishte si të mos fliste për detyrimet e prapambetura që ka paguar, për të cilat thekson se nuk i takojnë. “Kjo historia e detyrimeve të prapambetura është ligjore. Problemi është që të pozicionohemi qartë tani. Të themi që ky qytet ka ambiente sportive. Ne duam të investojmë, por nuk na lë njeri të investojmë. Jemi i vetmi qytet dhe klub në Shqipëri që nuk kemi fusha sporti dhe pastaj ankohemi të gjithë pse bie Flamurtari. Nuk kemi ku stërvitemi, nuk kemi më elementaret. Të prapambeturat patjetër që janë detyrimet e atyre që i kanë pasur përsipër. Ato që kemi paguar duhet që të na i kthejnë mbrapa. Nëse nuk e bëjnë dot, të na e thonë.

Nuk kemi ardhur këtu për të kryqëzuar njeri, por të bëjmë punë. Bashkia e Vlorës të dalë nesër (sot) dhe të thotë, ‘po, ne jemi për Vlora Sport’. Por, asetet të kujt janë? Kush do t’i menaxhojë? Kush do të investojë? Të marrin përgjegjësitë. Falënderoj këshilltarët bashkiakë dhe kryetarin e bashkisë për marrjen e kësaj iniciative për të bërë një mbledhje vetëm për Flamurtarin. Është e para herë që ndodh dhe kjo është një përgjegjësi e madhe. Kjo është gjë e mirë që bën kryetari i bashkisë që nuk bën lojën e paskrahëve të tifozit që nuk e di çfarë është futbolli, por në rastin vendimtar thërret Këshillin Bashkiak”, u shpreh administratori.

THUMBIMI – Sinan Idrizi nuk lë pa ngacmuar as ish-futbollistët e Flamurtarit që thanë se janë të gatshëm të mbledhin miliona lekë për ringritjen e ekipit. “Ju e dini që ka pasur shumë njerëz që kanë dashur të investojnë, por ndoshta mundësitë kaq kanë qenë.

Ka qenë një dashamirës, një zotëri që i ka dhënë emër Flamurtarit, një tjetër me iniciativën e tyre për të mbledhur fonde me vlonjatët. Unë nuk di të bëj aritmetikë, por atë historinë me 5 mijë shumëzim për 1 mijë, për një milion, nuk e di si u konkludua. Nëse e ka dikush gati, unë tërhiqem menjëherë. Në të kundërt ne do të vazhdojmë me kushtet tona. Jo me kushtet të zhvasim. Ne si kompani as kemi kërkuar 1 dollar nga taksat e vlonjatëve dhe as kërkojmë. Nesër (sot) çdokush duhet që të marrë pozicionin e tij”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"