Sot do të zbulohet trajneri i ri, administratori i klubit të Kategorisë së Parë: FSHF na hodhi në erë sezonin me 3 ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2021 | 9:08

Sot do të zbulohet trajneri i ri, administratori i klubit të Kategorisë së Parë: FSHF na hodhi në erë sezonin me 3 ndeshje

Samuel Nikaj nuk do të jetë më trajner i Burrelit. Nëse pas humbjes me Korabin iu refuzua dorëheqja, këtë herë ka qenë e parevokueshme. Matjanët dje e kanë pasur pushim absolut dhe vetëm sot mund të ketë zhvillime sa i përket pasardhësit të shkodranit në stol. Për të mësuar diçka më shumë rreth situatës që po kalon ekipi, gazeta “Panorama Sport” kontaktoi administratorin Bajram Ballabani. Nuk jep shumë detaje rreth çështjes së pankinës, megjithatë “shfryn” ndaj FSHF-së.

bajram baballani

“Që në nisje të kampionatit, bashkë me kryetarin e bashkisë synuam të ndërtonim një ekip elite, duke nisur nga trajneri e deri te lojtarët me eksperiencë. Kemi qenë klubi më i rregullt i Kategorisë së Parë, kjo sa u takon kushteve, rrogave dhe shpërblimeve për çdo fitore. Gjetëm një ekip me borxhe ndaj FSHF-së dhe tani është ekipi më i rregullt për detyrimet ndaj saj dhe brenda këtij viti i mbyllim detyrimet. Por, FSHF si duket nuk do klub korrekt si Burreli, por do ato klube që kanë një mal me borxhe ndaj tyre. FSHF na e hodhi poshtë gjithë mundin e një viti në tri ndeshjet kryesore, 2 me Korabin e 1 me Dinamon. Unë nuk e di çfarë guximi ka pasur arbitri Ferataj në gjykimin e 2 ndeshjeve përballë dibranëve.

Ai do të duhet ta lehtësojë peshën e përgjegjësisë së tij. Unë pata kërkuar që ndeshja me Dinamon të ishte ‘Fair Play’ dhe drejtuesit e FSHF ma premtuan që ashtu do të ishte. Por, edhe këtë ndeshje FSHF mbajti Dinamon duke e vulosur ndëshkimin e Burrelit në minutën e 97-të me anulimin e një goli krejt të rregullt. Me sa duket, kjo tregon se FSHF nuk i do ekipet dhe klubet korrekte. Sa i përket ekipit tonë, ne do ta analizojmë të gjithë ecurinë e këtij kampionati me detaje, po ashtu edhe dorëheqjen e Nikajt”, ka përfunduar Ballabani.

 

DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"