Sot dita e marokenit Hakimi, Interi nis revolucionin e bujshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 8:34

Sot dita e marokenit Hakimi, Interi nis revolucionin e bujshëm

Ashraf Hakimi sot do të jetë në Milano për të kryer vizitat mjekësore me Interin. Lajmi është dhënë ditën e djeshme nga “Sky Sport”. Është gati të nisë, në fakt, aventura e re e lojtarit maroken me zikaltrit, pasi këta të fundit dhe Reali i Madridit kanë gjetur akordin edhe për formalitetet e fundit.

hakimi inter

Lojtari ndodhet momentalisht në Madrid për të mbyllur procedurat e fundit përpara zbarkimit në Itali. Udhëtimi i Hakimit në Itali do të jetë vetëm një blic ditor, përpara zbarkimit përfundimtar në fillim të sezonit.

TALENT – Tifozët e Interit i kanë mësuar cilësitë e lojtarit në kurriz të tyre, një natë nëntori. Në Dortmund zikaltrit kishin kaluar në avantazh kundër Borusias, për të pësuar më pas përmbysjen e skuadrës së Lysien Favresë. Mes tyre, më energjiku ishte pikërisht anësori i akademisë së Realit: atë mbrëmje Hakimi do të regjistronte një dopietë dhe një asist për t’i konfirmuar botës klasin e tij. Ajo mbrëmje nuk do të jetë unike.

hakimi-cover

Gjatë sezonit, futbollisti me vitlindje 1998, ka shënuar shtatë gola të tjerë, plus dhjetë asiste; ka marrë pjesë në 17% të golave të skuadrës së tij. Në moshën vetëm 22 vjeç, është një nga lojtarët e krahut më intrigues në Europë. Xhuzepe Marota dhe Piero Auzilio kanë siguruar një nga talentet më premtuese të rolit për 45 milionë euro plus bonuse dhe një kontratë pesëvjeçare prej 5 milionësh (përfshi bonuset) për Hakimin.

HAPAT E PARË – Sezoni i parë mes profesionistëve regjistrohet në 2017-’18, si rezervë e Karvahalit te Reali që fitonte Champions-in e fundit: 17 prezenca, me bindjen se duhet të piqej përpara se të fitonte një vend në 11- shen titullare. Dortmundi troket në derën e madrilenëve në momentin e duhur dhe i ekzalton karakteristikat: cilësi atletike të rëndësishme të bashkuara me një prekje topi të rafinuar që i lejojnë të shpalosë gjithë klasin e tij në momentet kryesore të ndeshjeve.

Hakimi

Dortmundi luan një futboll të shpejtë dhe vertikal ku anësorët duhet të zhvillojnë lojën falë pasimeve të shkurtra dhe mbështetjes në gjithë fushën. Është mes futbollistëve më të shpejtë në Bundesligë (me pika kulminante prej 35 km/orë) dhe metoda e tij e lojës është një kombinim i rrallë klasi dhe force. I aftë të finalizojë manovrën ose ta asistojë në zhvillim. Sigurisht, në moshën vetëm 22 vjeç, Hakimi nuk mund të konsiderohet ende një lojtar i kompletuar.

Pavarësisht Ligës së Kampioneve të fituar, Botërorin e 2018-ës të luajtur me Marokun dhe rritjen eksponenciale në Dortmund, ka shumë për t’iu shtuar karrierës së tij. Së pari, një fazë mbrojtëse që në disa momente ka pasur ulje-ngritje: mjafton të mendohet kthimi në 1/8-at e Champions-it të këtij sezoni, kur Hakimi humbet inkursionin e Nejmarit që godet me kokë dhe nis përmbysjen e PSG-së, pak ditë përpara se karantina botërore të bllokonte futbollin europian. Edhe për këto arsye do të jetë i rëndësishëm ndikimi i Antonio Kontes.

TEK INTERI – Zërat thonë se ka qenë pikërisht trajneri interist një nga sponsorët e tij më të mëdhenj. Në të vërtetë, Hakimi ndodhej në radarët interistë prej më shumë se dy vitesh. Interi arriti ta siguronte për një seri faktorësh: nevoja e Realit për para të freskëta, preferenca e Zidanit për Daniel Karvahalin në atë rol dhe shitja e Mauro Ikardit te PSG që u siguroi zikaltërve forcën e duhur financiare për të përforcuar një nga rolet kryesore të lojës së Kontes.

Statistikat

Sa kohë do t’i nevojitet për t’u përshtatur? Fillimi i sezonit të ardhshëm do të jetë i veçantë, por në të kundërt të Kristian Eriksenit, marokeni do të mund të zhvillojë përgatitjen me shokët e skuadrës dhe të përshtatet me mekanizmat e Kontes. Manovrat e mëdha të Interit të së ardhmes kanë nisur: në pritje për të mësuar se çfarë do të ndodhë me Sandro Tonalin, Marota e Auzilio janë pranë mbylljes së një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të kohëve të fundit në historinë zikaltër.

Interi me Hakimin

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"