Sot derbi i kryeqytetit/ Shehi dhe Daja “gradojnë” titullarët, ja formacionet e mundshme në Tirana-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2021 | 12:38

Sot derbi i kryeqytetit/ Shehi dhe Daja “gradojnë” titullarët, ja formacionet e mundshme në Tirana-Partizani

Nën sytë e tifozëve të Tiranës që për gatisnin banderolat për derbin brenda “Selman Stërmasit”, bardheblutë mbyllën stërvitjen e fundit para derbit me të kuqtë. Në xhiron e parë të vrapit, duartrokitje pa fund për ekipin që tani është në krye të renditjes, ndërsa Shehi për më shumë se 1 orë e 30 minuta punoi me skuadrën në dritën e projektorëve për të dhënë këshillat e fundit.

Tirana-derbi

STËRVITJA – Pas vrapimeve të rastit dhe ushtrimeve fizike, Tirana largoi të gjithë kureshtarët, duke nisur punën për sfidën. Si fillim, Shehi provoi formacionin klasik me tre sulmues me Tolin në stol dhe Toshevskin në krahu e djathtë. Gjithsesi, duket se trajneri ka vendosur modulin, ndërsa emrat janë ata që trazojnë trajnerin sidomos në repartin e sulmit.

Seferi dhe Ngo do të jenë titullarët me Xhixhën në stol, ndërsa versioni i dytë është aktivizimi i treshes në sulm dhe Toli të spostohet djathtas. Gjithsesi, gjithçka do të zbulohet vetëm pak para ndeshjes. Fakt është që Shehi i provoi dy versionet, por me shumë mundësi formacioni i Tiranës pritet të jetë me Bekajn në portë.

Mbrojtja vazhdon me Toshevskin, Behiratçen, Hoxhallarin e Ismajlgecin. Në mesfushë, triada Toli, Najdovski e Totre, në sulm Ngo e Seferi, por pas tyre si dhjetësh klasik Vesel Limaj. Një formacion shumë i ekuilibruar. Në fakt, Seferi ka fituar ndaj Xhixhës që mund të ulet në stol. Gjithsesi, formacioni mund të ndryshojë deri para ndeshjes me Shehin që mund të përmbysë gjithçka.

KOKË MË KOKË ME NGONË – Në fund të stërvitjes trajneri Orges Shehi qëndroi gjatë me Majkëll Ngonë. Ai i ka zbuluar lëvizjet sulmuesit të qendrës. Për 10 minuta Shehi foli me Ngonë që vetëm dy ditë më parë ka pasur ditëlindjen dhe shpreson të marrë një tjetër dhuratë në derbi.

GRUMBULLIMI – Që prej mbrëmjes së djeshme Shehi dhe skuadra e Tiranës është grumbulluar në një nga hotelet e kryeqytetit. Presidenti Refik Halili nuk e ka lënë me kaq. Ai ka premtuar një bonus tjetër nëse skuadra fiton edhe me Partizanin. Nuk bëhet e ditur shuma që do të japë Halili nëse bardheblutë fitojnë derbin. Mësohet se bonusi do të jetë i madh dhe do të rritet nëse bardheblutë vazhdojnë fitoret.

TIR

Partizani ka plot 6 mungesa për sfidën e sotme kundër Tiranës, ku 4 prej tyre janë lojtarë titullarë. Në mesfushë, mungojnë Ergys Kaçe dhe Arinaldo Rrapaj, çka detyron trajnerin Daja që të bëjë lëvizje në këtë repart. Partizani luan me skemën 5-3-2 dhe nga formacioni titullar kundër Kukësit, vetëm Esat Mala është në gjendje optimale për të luajtur.

Dy lojtarët që pritet t’i bashkohen Malës në mesfushë mund të jenë Herald Marku dhe Valentino Murataj. Marku nuk luajti për asnjë minutë në takimin kundër Kukësit, ndërsa Murataj u aktivizua në pjesën e dytë. Murataj ose Mala me gjasë do të rreshtohen disi më mbrapa, duke bërë rolin e organizatorit, ndërsa Marku do të jetë i spostuar disi më në të majtë.

Ndërsa në repartin e sulmit, mungojnë Lukas Kardozo, i cili do të operojë shpatullën, dhe Tedi Cara, po ashtu i dëmtuar. Me vetëm Stenio Zhuniorin të gatshëm nga formacioni titullar kundër Kukësit, Daja pritet të rreshtojë në krah të tij kroatin Andrija Filipoviç nga minuta e parë.

Derbi Tirana-Partizani

Kjo do të ishte ndeshja e parë e Filipoviçit si titullar në Superiore, pasi deri më tani, është aktivizuar vetëm nga stoli. Madje, kundër Kukësit, kroati nuk u aktivizua për asnjë moment, duke kaluar 90 minuta në stol.

Filipoviç është shprehur për “Panorama Sport” para sfidës kundër Kukësit se është 100% gati për skuadrën dhe kërkon ta bindë Dajën me gola se e meriton një fanellë titullari, por deri më tani situata duket e paqartë me 24-vjeçarin, i cili është lojtari më i vlerësuar në Superiore nga “Transfermarkt”.

Ndërsa në repartin e mbrojtjes, është rikthyer në formë optimale Dajan Shehi, duke lënë pas dëmtimin që e mbajti larg fushave për 2 javë. 24-vjeçari shtatlartë mungoi në takimin kundër Kukësit, por për derbin e kryeqytetit kundër Tiranës është 100% gati.

PAR

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"