Sot Asambleja “online”, disa klube kundër rinisjes së kampionatit
Pro dhe kundër. Duhet apo jo të rinisë kampionati. Mjaftojnë apo jo rreth 75% e ndeshjeve që janë zhvilluar, për të shpallur verdiktet e sezonit. Kush përfiton në rast se rinis dhe kush është i përfituar që tani dhe nuk ka dëshirë të rikthehet futbolli. Këto dhe shumë të tjera janë diskutimet që priten të hënën, kur futbolli shqiptar do të ketë mbledhjen e përvitshme në Asamblenë e Zakonshme.
VIDEOKONFERENCA
Koha e pazakontë ka prekur edhe futbollin. Jo vetëm për ndalesën dhe kufizimin e aktiviteteve, por sot për herë të parë do të kryhet një Asamble e Përgjithshme ku të gjithë anëtarët nuk do të jenë në një sallë, ama përpara një kompjuteri me anë të rrjeteve sociale. Paraditen e sotme, punimet e Asamblesë do të kryhen me anë të videokonferencës.
FAKTORËT KUNDËR RINISJES SË FUTBOLLIT
Situata e rënduar financiare dhe mbi të gjitha kostot e shtuara për ekipet në rast se do të riluhet futbolli i zgjatur deri në korrik, është një emërues i përbashkët për të gjithë. Klubet janë në vështirësi të theksuara financiare, dhe shtimi i faturës së detyrimeve edhe me muajt qershor e korrik, e pamundëson vazhdimësinë edhe më tej. Kjo, mund të bëjë bashkë që shumë presidentë dhe përfaqësues klubesh, ta ngrenë zërin njëherësh nga ekrani i kompjuterit, prej nga ku do të çojnë sinjal në mbledhjen e Asamblesë të hënën, me anë të videokonferencës. Jo vetëm kaq, por ka edhe shumë skuadra të cilat janë të kënaqura me verdiktet aktuale të sezonit dhe do mjaftoheshin me gongun final. Ndaj, do të bënin çfarëdo që është e mundur për ta shfrytëzuar situatën e koronavirusit, për ta përfunduar sezonin. Madje, jo vetëm kaq, por edhe për të shpresuar që me këtë situatë, të mund të ndryshojë skema dhe të ketë një Superiore me më shumë sesa dhjetë skuadra për edicionin e ardhshëm.
FAKTORËT PRO
Futbolli shqiptar përfshin jo vetëm verdikte të drejtpërdrejta nga fusha, por ka edhe skemë që përfshin verdikte me anë të fazave “play off”. Kësisoj, ekipet që kanë këtë interes, mund të kërkojnë me çdo kusht që të rinisë futbolli i luajtur. Edhe shumë skuadra që “digjen” nga fotografimi aktual i kampionateve, do të synojnë të shtyjnë sa më fort për nisjen e sezonit dhe përfundimin në fushë.
KONTRATAT
Futbolli pritet që të rinisë të luhet aty ku ndaloi në mars për shkak të Koronavirusit. Kjo, për vetë përpjekjet e FSHF-së dhe së fundmi edhe për gatishmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për të diskutuar protokollin e rihapjes. Mirëpo, ka një çështje që nuk është ende e saktësuar me rregull. Çfarë do të ndodhë në muajt qershor dhe korrik, me kontratat, pasi ka shumë futbollistë që u mbaron marrëveshja me deri më 31 maj, si dhe së dyti çfarë do të ndodhë me pagesat në këto dy muaj. Do të paguhen lojtarët me dy muaj shtesë?
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"