Skënderbeu kërkon pafajësi, ja si do të mbrohet në gjyqin ndaj UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2018 | 9:24

Skënderbeu kërkon pafajësi, ja si do të mbrohet në gjyqin ndaj UEFA

Skënderbeu do të ketë sot një tjetër ditë të rëndësishme për sa i përket çështjes së dënimit me 10 vite nga ana e UEFA-s për dyshim në përfshirjen e trukimit të ndeshjeve. Pas seancës së parë në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës, sot përfaqësuesit e Skënderbeut do të jenë në Nion të Zvicrës ku do të marrin pjesë në Komisionin e Apelit ku përballë trupit të UEFA-s do të shtrojnë edhe një herë pretendimet e tyre për të hedhur poshtë akuzat që vijnë nga organi më i lartë i futbollit europian.

skenderbeu2-470x323

Përveç presidentit Takaj dhe zyrës ligjore zvicerane, do të jenë në këtë seancë dëgjimore edhe dy figura të njohura për Skënderbeun. Ish-kapiteni, Bledi Shkëmbi dhe mesfushori Sabien Lilaj, ndërsa do t’u bashkohet përmes një videokonference edhe Bakari Nimaga. Duke parë zhvillimet e fundit dhe cungimin e dosjes Skënderbeu, e cila nga 106 faqe tashmë ka përfunduar vetëm me 24 të tilla, lihet të kuptohet se UEFA nuk është më aq e bindur për përfshirje të Skënderbeut në skemat e trukimit të ndeshjeve dhe situata duket disi e lëkundur. Kjo në përputhje me sinjalet që vijnë nga studioja ligjore.

Nga ana tjetër, në kampin bardhekuq, zyrtarë të klubit janë të vendosur që të kërkojnë vetëm pafajësi dhe asnjë ndryshim apo zbutje të dënimit. Një gjë të tillë e ka thënë më herët edhe vetë Takaj, çka do të thotë se nuk do të pranohet një ulje dënimi, por vetëm pafajësia. Në kampin bardhekuq janë të bindur se nëse dënimi lihet në fuqi do të ishte një armë shtesë për t’u përdorur në KAS nga ana e studios ligjore “DE Pfyfer” si një vendim i qëllimshëm kundër këtij klubi.

DËSHMITË

Nga ana tjetër, veç pretendimeve të studios ligjore dhe përfaqësuesve juridikë të klubit këtë herë do të bashkohen edhe lojtarët e Skënderbeut në dhënien e dëshmive të tyre. Nga sa bëhet e ditur rreth orës 12:00, kur do të nisë edhe kjo seancë dëgjimore, pritet që të japë dëshminë e tij fillimisht kapiteni Bledi Shkëmbi e më pas Sabjen Lilaj, si dhe në fund do të jetë radha e video-konferencës nga ana e mesfushorit malien Bakari Nimaga. Në kushte të tilla pritet që të tre këta futbollistë të mohojnë kategorikisht çdo akuzë në drejtim të tyre dhe ekipit bardhekuq për manipulimin e rezultateve dhe të japin versionin e tyre se çfarë ka ndodhur në ato takime të dyshuara.

Kryesisht dëshmia pritet që të përqendrohet vetëm te katër ndeshjet e Europës, duke mos u zgjatur shumë të ndeshje të tjera, të cilat tashmë thuajse janë “zbehur”. Kjo pak a shumë është ajo që pritet të ndodhë në këtë mbledhje të radhës në Apelin e UEFA-s, nga ku më pas trupi gjykues do të vendosë pas disa ditësh edhe masën që do të marrë apo vendimin që do të dalë nga kjo seancë dëgjimore para se palët të shkojnë në KAS për rigjykim.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"