Sondazhi i Panorama Sport/ Superiore me 14 ekipe, klubet japin argumentet për sondazhin e gazetës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 23:03

Sondazhi i Panorama Sport/ Superiore me 14 ekipe, klubet japin argumentet për sondazhin e gazetës

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktu ar dje me të gjitha klubet e Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë për t’i pyetur në lidhje me numrin e skuadrave që mund të ketë në të ardhmen Superiorja. Në shumicë, klubet kanë zgjedhur një kampionat me 14 ekipe. Nga 30 skuadra në total, 15 kanë zgjedhur një garë të tillë. Më pas, 6 klube kanë zgjedhur një garë me 12 ekipe. Interesant është fakti se nga 10 ekipe të Superiores, vetëm tre kanë votuar që kampionati të vazhdojë me po kaq skuadra. Ja të gjitha reagimet e klubeve të Superiores dhe Kategorisë së Parë.

Kategoria-Superiore-2018

Ilirjan Përmeti (Shefi i klubit të Skënderbeut)

“Të flasësh për sistemin e kampionatit, sigurisht që është diçka që kërkon mbështetje te direktivat e UEFA-s. Ajo ka caktuar që për të dhënë masivitet, duhet që në një sezon të bëhen 36 takime dhe prandaj besoj se është zgjedhur ky format. Por mendimi im personal, më mirë një kampionat me 12 ekipe dhe tre faza për të pasur në elitën e futbollit ekipe të qyteteve të mëdha të vendit. Kjo nga ana tjetër do të ulte disi edhe shpenzimet për ekipet e tjera që nuk mund të përballojnë dot katër fazat e një kampionati”.

ASTRIT GJYREZI (Administrator i Vllaznisë)

“Jam për një kampionat me 12 skuadra. Nuk e di nëse është diskutuar ndonjëherë për një ndryshim, por meqenëse po më pyesni për një gjë të tillë, mund them se me kushtet aktuale që ne kemi, një kampionat me 12 skuadra është më i miri i mundshmi. Me 10 skuadra kampionati është shumë i fortë dhe i vështirë. Ndërsa me 12 skuadra ka më shumë mundësi për të pasur rivalitet si për kreun e po ashtu edhe për mbijetesën”.

Burba2

GERALD BURBA (Sekretar i përgjithshëm i Partizanit)

“Panorama Sport” është munduar të marrë një mendim nga drejtuesit e lartë të klubit, presidenti Gaz Demi dhe drejtori Olsi Rama, por ka qenë e pamundur. Gjithsesi, gazeta mori një zë nga të kuqtë, pikërisht nga shefi i zyrës juridike, njëkohësisht edhe sekretar i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba. “Personalisht më pëlqen modeli danez me 14 ekipe. Më shumë ekipe do të ishte e tepërt, pasi e tillë është infrastruktura në vendi tonë”.

naim halili ekrem spahia

NAIM HALILI (Menaxher i përgjithshëm i Kukësit)

“Për ne si Kukës, idealja është të bëhet një ligë e përbashkët me Kosovën. 10 ekipi nga Shqipëria dhe 6 nga Kosova. Pra, të krijohet një ligë e përbashkët me 16 ekipe. Vetëm kështu rritet cilësia dhe fitimet nga e drejta televizive janë më të mëdha. Është më mirë nga të gjitha aspektet. Kampionati bëhet më i fortë dhe më gjithëpërfshirës”.

Sinan Idrizi

SINAN IDRIZI (Administrator i Flamurtarit)

“Superiorja duhet që të jetë me 14 ekipe. Gjithçka për të rritur cilësinë e futbollit shqiptar, për të rritur të rinjtë dhe ekipet e nivelit të mesëm. Nuk është kampionat ky me 10 ekipe. Me 14 ekipe do të jetë kampionati më interesant, do të ketë konkurrencë. Do të jenë skuadrat që mungojnë si Apolonia, Tomori, Besëlidhja, Elbasani. Është e pakuptimtë të ndeshesh me një ekip 4 herë në vit”.

EDMOND HASANBELLIU (President i Teutës)

“Për mua, kampionati duhet të jetë me 10 skuadra sepse, përveçse është më i fortë, ka edhe më shumë të ardhura, ndonëse unë në këtë moment rrezikoj shumë. ‘SuperSport’ nuk e përballon dot garën nëse janë 14 skuadra. Gjithashtu, një arsye tjetër madhore është edhe fakti se kur janë 14 skuadra, gjatë garës krijohet një vakum në mesin e tabelës dhe kjo sjell probleme dhe tolerime. Pra, me 10 gara gjeneron më shumë të ardhura dhe është shumë më e fortë”.

GENTIAN NUSHI (Kryetar i Bordit të Lushnjës)

“Unë mendoj që Superiorja duhet të vijojë të jetë në këtë format, me 10 ekipe pjesëmarrëse dhe me katër faza. Nuk jam i mendimit për një kampionat me 12 apo 14 ekipe”.

LLAMBRO TAVO (Zv/president i Luftëtarit)

“Me dhjetë ekipe në Superiore, konkurrenca do të përfaqësonte denjësisht futbollin shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare”.

ALBERT BANA (Shefi i klubit të Kamzës)

“E mira është të jetë një kampionat me 16 ekipe, ku 2 të bien direkt dhe 2 të tjerat të luajnë ‘Play-Out'”.

REFIK HALILI (Presidenti i Tiranës)

“Po ju përgjigjem me pyetje. Kush e hodhi Tiranën sezonin e kaluar?!”

GAZMEND VOGLI (Drejtor i Kastriotit)

“Formula me 10 ekipe nuk është ajo e duhura. Disa thonë që formula me 10 ekipe rrit cilësinë e kampionatit dhe rivalitetin, por nga ana tjetër ato dy ekipe që vijnë nga një kategori më poshtë, janë më të predispozuara të rikthehen sërish në Kategorinë e Parë. Pra, ne si klubi i Kastriotit, mendojmë se formula e duhur është ajo me 12 ekipe”.

BESNIK KAPLLANAJ (Presidenti i Bylisit)

“Mendoj se më mirë do të ishte një kampionat me 16 ekipe dhe dy faza. Në këtë mënyrë, do të ngjiteshin në elitë edhe skuadra si Elbasani, Apolonia, Dinamo, Pogradeci apo të tjera me emër. Unë e kam bërë propozimin tim disa herë në FSHF që të jetë një kampionat me 14 apo 16 ekipe. Kjo do t’i jepte më shumë mundësi skuadrave që të aktivizonin edhe lojtarët e rinj. Në një kampionat me 14 apo 16 ekipe, ku dy të bien direkt dhe dy të luajnë ‘Play-Out’, gara do të ishte më e fortë”.

ALBAN PAMBUKU (Zyrtar i Tomorit)

“E mira do të ishte një kampionat me 12 ose 14 skuadra. Që të mos ndodhë si çdo vit, ku ekipet e Bashkive ngjiten dhe zbresin më pas menjëherë siç ndodhi me Lushnjën apo me Vllazninë që rrezikon. Një kampionat me 12 ose 14 skuadra i shërben edhe ekipeve me traditë që enden në Kategorinë e Parë prej vitesh”.

OLSI BREGU (Drejtor ekzekutiv i Apolonisë)

“E përgëzoj gazetën ‘Panorama Sport’ për këtë sondazh që ka qenë dhe mbetet shqetësim i kahershëm i faktorit futbollistik. Mendoj se formula më e mirë e Superiores do të ishte pjesëmarrja e 14 ekipeve, me sistemin vajtjeardhje, pra, 26 javë në total dhe me formulën gjermane: 2 skuadrat e fundit rrëzohen direkt, ndërsa ekipi i vendit të 12-të të zhvillojë ndeshje ‘PlayOut’-i me vendin e tretë të Kategorisë së Parë që, për mendimin tim, duhet të konceptohet me vetëm një grup të përbërë nga 16 skuadra”.

ARJAN TEROLLI (Administratori i Pogradecit)

“Jam i mendimit që Superiorja të bëhet me 14 ekipe. Kjo do të ndihmonte shumë prej skuadrave që realisht janë cilë- sore edhe në Kategorinë e Parë. Kjo formulë me 10 ekipe duhet të ndryshojë”.

PETRIT HAZBIU (Sekretari i Egnatias)

“Superiorja do të ishte mirë të luhej me 14 skuadra, ndërsa Kategoria e Parë me 16 skuadra me dy faza, por me një grup të vetëm dhe jo me dy siç është tani. Kjo do të zbukuronte më shumë garën”.

ALTIN KEÇI (Administrator i Erzenit)

“Superiorja duhet të jetë me 14 ekipe. Siç është tani me 10 skuadra, është një garë fallso dhe nuk ia vlen”.

DEMIR ÇUPI (Administrator i Burrelit)

“Mendoj që Superiorja duhet të jetë me 14 ekipe. Kjo për shkak se tashmë është rritur shumë niveli i futbollit dhe cilë- sia e ekipeve edhe në Kategorinë e Parë. Gara do të ishte më e bukur”.

GLEDIS LANI (Zyrtar i Besëlidhjes)

“Për mua, si Superiorja që është me 10 skuadra, si ajo e Parë me këtë strukturë, nuk është aspak efektive. Duhet një Superiore me 14 ekipe”.

ISMET SALIAJ (Administrator i Dinamos)

“Mendoj se Superiorja do ishte mirë me 12 skuadra”.

BLEDAR SINELLA (Zyrtar i Besës)

“Mendoj një kampionat me 14 ekipe me 3 faza dhe jo katër, pasi evitohen mundësitë e lëshimeve”.

DRITAN FRROKU (Shefi i klubit të Tërbunit)

“Do të ishte mirë që Superiorja të bëhej me 12 ose 14 skuadra. Është më mirë me dy faza dhe kampionati bëhet më i fortë ku nuk mund të ketë aleanca mes skuadrave”.

ARJAN MARGJONI (Zyrtar i Shënkollit)

“Mendoj se zgjedhja më e mirë do të ishte një kampionat i Superiores me 14 ekipe dhe dy faza. Do të ishte një garë më korrekte”.

ENGJËLL BELSHI (Shefi i klubit të Turbinës)

“Mendoj se me 10 ekipe është mirë, pasi bëhet kampionati më i fortë”.

ASTRIT TALI (Shefi i klubit të Ilirisë)

“Superiorja me 10 ekipe përgjatë këtyre viteve ka rezultuar një formulë e dështuar. Jam i mendimit që elita të zhvillohet me 14 ekipe dhe dy faza”.

BAJRAM FRAHOLLI (Zyrtar i Naftëtarit)

“Superiorja duhet të jetë me 14 skuadra, ku dy skuadra të bien direkt dhe dy të tjera të luajnë ‘Play-Off'”.

ASTRIT ISAJI (Shefi i klubit të Shkumbinit)

“Superiorja do të ishte më e përshtatshme me pjesëmarrjen e 14 skuadrave, si dhe me zhvillimin e 3 fazave. Kjo do të shtonte konkurrencën dhe do të kishte më shumë rivalitet”.

FEHMI MËZIU (Administratori i Korabit)

“Mendoj se më mirë do të ishte një Superiore me 14 ekipe. Do të ishte një garë më e bukur dhe serioze”.

Shënim: Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i artikullit pa lejen e gazetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"