SONDAZHI I “PANORAMA SPORT”/ 13 trajnerë të Kategorisë së Parë votojnë: Ja kush e fiton Botërorin e Katarit (TABELA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 14:28

SONDAZHI I “PANORAMA SPORT”/ 13 trajnerë të Kategorisë së Parë votojnë: Ja kush e fiton Botërorin e Katarit (TABELA)

Botërori ka marrë “skenën” e futbollit. Është e para herë në histori që ky kampionat të zhvillohet në dimër dhe kjo ka stopuar çdo lloj kampionati, përfshi edhe Kategorinë e Parë.

Collage Maker-25-Nov-2022-10.41-AM

Ndonëse vëmendja e trajnerëve është e gjitha tek ekipet që drejtojnë dhe te seancat stërvitore në këtë pushim të pazakontë, po e ndjekin padyshim edhe “Katar 2022”.

KATAR BOTERORI

Gazeta “Panorama Sport” ka bërë një sondazh, për të kuptuar se kë shohin ata favoritë.

Edhe pse këto 4 ditë të para të kampionatit kanë prodhuar surpriza të mëdha, shumica anojnë te Seleçao.

Nga 13 që kanë “votuar” (me mungesën e vetme të Nevil Dedes së Dinamos, që nuk u përgjigj), 7 shkojnë për përfaqësuesen e Brazilit, 2 për Francën dhe Gjermaninë dhe 1 me Spanjën e Argjentinën…

TROISI

MARCELO TROISI (Flamurtari)

“Nuk besoj se është e vështirë që të kuptohet vota ime (qesh). Botërorin unë këtë vit shpresoj ta fitojë Brazili. Nuk është vetëm një dëshirë në fakt e një braziliani, por po e jap këtë mendim si trajner. Shoh që kanë një skuadër të konsoliduar dhe gati për këtë trofe. Brenda organikës kemi lojtarë me një eksperiencë të madhe dhe ndaj i shoh favorit. E them pa frikë, që kanë ekipin më të mirë”, tha trajneri i Flamurtarit.

NIKOLIN COCLLI

NIKOLIN ÇOÇLLI (Besëlidhja)

“Fituesi do të ndahet mes Brazilit dhe Francës. Ne ende nuk e kemi parë Brazilin, por kam besim se janë pretendentët real. Duke analizuar rezultatet e deritanishme, unë them se ky kampionat do të jetë i surprizave të mëdha. Që në ndeshjet e para u pa kjo me humbjen e Argjentinës ndaj Arabisë Saudite apo ajo e Gjermanisë humbi përballë Japonisë. As spektakli nuk do të mungojë, për këtë jam i sigurt. Gara zhvillohet në një periudhë kur futbollistët janë në ditët më të mira të tyre, pasi jemi në mes sezoni. Janë në gjendje të mirë fizike dhe psikologjike dhe kjo do të japë efektet e veta në fushë. Si përfundim, them se kjo është koha më optimale për zhvillimin e evenimenteve me përmasa të tilla”, u shpreh trajneri i Besëlidhjes.

Arberi

KLODIAN ARBËRI (Tomori)

“Personalisht më intrigon pyetja dhe sondazhi i gazetës, edhe pse do të kisha preferuar që përgjigjen ta kisha dhënë vetëm pas ndeshjeve në grupe. Do të kishim një vlerësim edhe më të përafërt. E them këtë, pasi jemi vetëm në ditën e 4-t dhe kemi një surprizë e madhe, që në njëfarë mënyre ka rrëzuar nga ‘froni’ një skuadër pretendente si Argjentina, që çedoi përballë Arabisë Saudite. Megjithatë, unë e kam një parandjenjë për fituesin si dhe argumentin bindës që më çon në këtë përcaktim. Që do të thotë, se midis dy skuadrave si Brazili dhe Anglia, unë zgjedh të parën. Kjo, për disa arsye dhe argumente bindëse, që të bëjnë të besosh se ‘Seleçao’ do të jetë fituese e ‘Katar 2022’. Kanë aktualisht një nga organikat më cilësore, që ka bërë me dhimbje koke edhe trajnerin Tite që ka shumë alternativa. Kanë edhe një sulm të frikshëm që garanton spektakël, si Nejmar e Vinicius, pa përmendur të tjerët. Kanë një trajner që i ka të gjitha, jo vetëm skuadrën, por edhe eksperiencën si dhe aftësinë për të shpallur Brazilin kampion Bote”, ishte ky mendimi i teknikut të Tomorit.

alert alcani

ALERT ALCANI (Tërbuni)

“Për herë të parë zhvillohet një Botëror në dimër, pavarësisht se në Katar temperaturat janë ta larta. Ky do të jetë kampionati i surprizave dhe të martën erdhi surpriza e parë, Arabia Saudite mundi Argjentinën që ka qenë kampione bote. Besoj se ky kampionat do të ketë edhe të tjera surpriza. Ja ku kemi edhe Gjermaninë që u përmbys, e megjithatë unë e shoh kandidate për ta fituar këtë kupë. Kanë kualitetin dhe janë ndërtuar nga të rinj që kanë energji. Pas nuk lë Anglinë dhe Brazilin”, deklaroi “timonieri” i Tërbunit.

Kumbarce

SHPEND KUMBARÇE (Korabi)

“Për momentin ndodhem në Barcelonë të Spanjës dhe nuk kam ndjekur asnjë ndeshje, por jam tifoz i Brazilit. Jam për brazilianët pasi kanë një ekip që ka talente dhe përmirësim taktik, që do të thotë se janë më të fortë dhe janë bërë më europianë në lojë. Ndërkohë që Brazili ka klasin e shumë yjeve në skuadër”, citoi kreu i pankinës së Korabit.

Nikaj dhe Renato Hoti

RENATO HOTI (Burreli)

“Favorite për ta fituar këtë kampionat mbetet Franca. Ata vijnë me një status të veçantë si fituese dhe kanë një ekip me kualitete, ndaj pse jo mund edhe ta përsërisin suksesin. Por, një ide më të qartë mund ta krijojmë kur të përfundojë xhiroja e parë dhe të kemi parë të gjitha ekipet, duke luajtur dhe çfarë ato do të paraqesin në fushë. Por pavarësisht kësaj, dëshiroj ta fitojë Brazili. Këtë e them se jam edhe tifoz”, tha trajneri i Burrelit.

ARLIND RUSTEMI

ARLIND RUSTEMI (Oriku)

“Për mendimin tim fiton Brazili. Ka shumë yje dhe fantazi në skuadër, që mund ta zgjidhin ndeshjen në mënyrë individuale. Gjithashtu në përbërje ka edhe lojtarë me përvojë dhe eksperiencë në të tilla kompeticione që luajnë dhe Botërorin e fundit për arsye të moshës. Një motiv më tepër për të dhënë maksimumin”, u shpreh trajneri i Orikut.

EDLIR TETOVA 1 (1)

EDLIR TETOVA (Lushnja)

“Shkon te Brazili. Për mënyrën e lojës, me shumë pasime. Mbi të gjitha është një ekip që e shijon futbollin. Në çdo aspekt në fushën e lojës. E megjithatë, ky Botëror na ka treguar se gjithçka mund të ndodhë. Surprizat i kemi të freskëta në këto 4 ditë. Çdo ndeshje këtu është finale, ndaj dhe çdo gabim kushton”, deklaroi tekniku i Lushnjës.

MAGANI

GUGASH MAGANI (Besa)

“Nuk i kam ndjekur të gjitha sfidat deri më sot, për shkak të stërvitjes me Besën, por edhe punëve e angazhimeve të tjera. Gjykoj se në këtë fazë nuk mund të jap një emër të vetëm për favorit, por si pretendente do të përmendja Francën të parën dhe me radhë Spanjën, Brazilin, Anglinë e Gjermaninë”, evidentoi i pari i stolit të Besës.

PASHJA

LORENC PASHJA (Luzi 2008)

“Mendoj se pretendenti kryesor për të fituar titullin, do të jetë Brazili. Përtej përbërjes me yje, tashmë kanë korrigjuar mjaft manovrën mbrojtëse. Aty kanë shfaqur defekte gjithnjë, pasi kanë preferuar spektaklin para lojës defensive. Meqë shumica luajnë në Europë, mbrojtja është më e stabilizuar taktikisht dhe nuk hyjnë më në aventura”, evidentoi trajneri i Luzit. GENTIAN LIÇI (Skënderbeu) “Pretendentët në këtë Botëror janë disa. Mund të fusësh pa frikë 4-5 skuadra, por unë do të veçoja Gjermaninë. Pavarësisht se nuk është ndër favoritet kryesore dhe në të parën ndeshje gaboi, them se ky kampionat do të fitohet nga ‘Pancerat’. Nëse duhet arsye, mund të mjaftojë fakti që ka traditën në të tilla kompeticione dhe mbi të gjitha është një skuadër që për fanellën dhe ndjenjën e kombit japin maksimumin. E ndiejnë më fort se kushdo tjetër”, u shpreh zv.trajneri i Skënderbeut.

DARIO DIAN

DARIO DIAN (Apolonia)

“Sigurisht që po e ndjek Botërorin dhe deri më tani më ka surprizuar për mirë. Mund të them që është një Kupë Bote ndryshe, e veçantë dhe e organizuar në mënyrë perfekte. Më dhemb paksa që nuk kam Italinë time, po ky është futbolli. Sot nuk ka më pretendente. Mjafton të shikosh dy humbjet e para të Argjentinës dhe Gjermanisë në fazën e grupeve. Dua të them se në futbollin e sotëm fiton gjithmonë grupi dhe asnjëherë një individ i vetëm. Thënë kjo ma bën paksa të vështirë përcaktimin e një fituesi të mundshëm. Gjithsesi, e kam një emër dhe do të them Argjentina. Përpos tyre, mbështes Portugalinë dhe Belgjikën”, tha italiani, që mban postin e përgatitësit atletik tek Apolonia.

BLEDAR DEVOLLI

BLEDAR DEVOLLI (Turbina)

“Shoh Spanjën fituese të ‘Katar 2022’. Them kështu, pasi ka elementë cilësorë dhe me të ardhme, por mbi të gjitha prodhojnë futboll. Kanë një trajner të mirë si Luis Enerike, që ka përvojë dhe cilësi të mira për ta udhëhequr këtë grup”, përfundoi trajneri i Turbinës.

VOT (1)

BASHKËPUNUAN:

Ermal Sika, Preng Gjikola, Edi Spahiu, Ditmir Pema, Fatmir Zhuzhi, Martin Dedaj, Alban Alushi, Feriz Ferizaj, Mariglen Miraka, Llazi Saro, Hilmi Saliu, Ronald Faja, Admir Uruçi, Fatmir Efica, Nderim Goci, Vladimir Mema, Erjon Saliu, Zamir Qypi;

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"