Solskjaer ndez derbin me Junajtid: Luhet 1 shekull futboll, legjendarët jemi ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 12:44

Solskjaer ndez derbin me Junajtid: Luhet 1 shekull futboll, legjendarët jemi ne

Mançester Junajtid do t’u bëjë vizitë sot “kushërinjve” në “Etihad Stadium” për të tentuar të marrin një fitore në strofkën e Mançester Sitit, e cila mungon që prej vitit 2018. Skuadra e Pep Guardiolës nuk po kalon një periudhë të mirë, aq sa tashmë ka nisur ta shohë me dylbi vendin e parë të renditjes, ku qëndron Liverpuli, dhe trajneri Ole Gunar Solskjaer shpreson që të përfitojë nga kjo gjë. 

solskjaer

Në konferencën e djeshme për shtyp, tekniku norvegjez i “Djajve të kuq” ka dashur t’i mëshojë shumë peshës së historisë që mbart kjo sfidë, e dominuar nga Junajtid për shumë dekada, edhe pse së fundmi situata ka ndryshuar.

“Derbi mbetet gjithmonë një derbi, pasi në të tilla ndeshje nuk vlen as renditja dhe asgjë tjetër, ndonëse fatkeqësisht kohët kanë ndryshuar disi. E them këtë duke qenë se një derbi, në kohën time, ishte më tepër një ndeshje që përgatitej fizikisht dhe psikologjikisht, ndërsa sot faktorët bazë janë teknikisht dhe taktikisht. Por, unë dua që lojtarët e mi ta mendojnë me të vjetrën dhe të luajnë një derbi siç duhet luajtur. Nuk po flasim për basketboll, por për futboll, për sportin më të bukur në botë, prandaj një duel si ky mes Junajtidit dhe Sitit kërkon nerv dhe përqendrim, pasi në fushë do të zbresë 1 shekull e më shumë histori futbolli”.

junajtid

“Këto gjëra pres që lojtarët e mi t’i vlerësojnë mirë në kokën e tyre dhe të zbresin në fushë me grintën që meriton një ndeshje si kjo, – vazhdon Solskjaer, që në lidhje me formacionin konfirmon besimin ndaj Rashford. – Shpresoj që Markus të tregoj edhe ndaj Sitit të njëjtin ritën që shfaqi ndaj Totenhemit. Nuk më intereson që të shënojë një apo dy gola, më intereson që të luajë siç bëri në mesjavë dhe kjo do të më mjaftojë. Marsial e Pogba? Entoni është grumbulluar, por nuk do të jetë në fushë nga minuta e parë, ndërsa Pol nuk do të jetë as në stol me ne, pasi po stërvitet veçmas. Si mundet Siti i Guardiolës? Siç e thashë edhe më parë: me zemër dhe me kurajo. Vërtet në vitet e fundit ata janë skuadra më e fortë, duke parë se janë edhe kampionët në fuqi, por mos harrojmë se Mançester Junajtid është historia, është legjendë e këtij derbi dhe e historisë së Premier Ligës. Dhe ne përfaqësojmë pikërisht këtë fanellë çdo ditë”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"