Solomon pa probleme, sulmuesi i Partizanit gati për Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 11:09

Solomon pa probleme, sulmuesi i Partizanit gati për Laçin

Theofilus Solomon ka qenë protagonisti i seancave të fundit te Partizani. Të mërkurën sulmuesi spikati me paraqitjen e tij në stërvitje, ndërsa një ditë më pas krijoi ankth në ekip për shkak të një goditjeje që mori në gjoks. Të enjten 23-vjeçari e la në mes seancën, pasi një top i gjuajtur nga një shok skuadre e gjeti të papërgatitur dhe nga goditja pati probleme me frymëmarrjen.

teofilius solomon

Por lëndimi ka kaluar pa problem për nigerianin, pasi dje është përgatitur normalisht me grupin dhe ndihet i gatshëm për duelin e të hënës me kurbinasit. Shpresohet që kjo të jetë hera e parë për trajnerin Franko Lerda që t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për një ndeshje zyrtare. Për Laçin Partizani nuk ka asnjë lojtar të pezulluar dhe me rikuperimin e plotë të Solomonit dhe disa lojtarëve të tjerë që kanë munguar për arsye dëmtimesh, stafi ka alternativa të shumta përzgjedhjeje.

Trajneri Lerda parashikohet të bëjë disa modifikime në formacion, ndryshime këto të diktuara edhe nga rikthimet, kryesisht gatishmëria e Solomonit, që pritet të mbajë peshën në majë të sulmit. Dilemat për formacionin kanë të bëjnë me përzgjedhjen e skemës, me 3 apo 4 mbrojtës. Ndaj Laçit kërkohet që ekipi të kthehet te fitorja, kështu që pritet një Partizan sulmues, por duhet edhe kujdes në prapavijë, pasi Laçi ka në përbërje sulmuesin më të mirë të Superiores, Kirjan Nuabueze, që ka shënuar 12 gola në 12 javë kampionat.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"