“Solla titullin, por s’më japin as 250 mijë lekëshin që më takon”, trajneri Gjoni akuzon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 23:00

“Solla titullin, por s’më japin as 250 mijë lekëshin që më takon”, trajneri Gjoni akuzon…

Trajneri i Vllaznisë në boks, Zef Gjoni, edhe pse u shpall kampion për të 23-ën herë në karrierë në kampionatin kombëtar që u zhvillua pak ditë më parë në Tiranë, ka shpërthyer sërish me akuza ndaj Bashkisë së Shkodrës, e për rrjedhojë edhe ndaj “Sport Klub Vllaznisë”, për të cilën ai punon. 

zef-gjoni-me-kapele-ne-stervitje

Por me sa duket ky bashkëpunim nuk do të zgjasë shumë, duke parë edhe kërcënimin direkt që ai lëshon për “Panorama Sport”. “Siç e thashë përpara aktivitetit, nuk isha optimist për fitoren, duke parë se Tirana kishte në përbërje tre boksierë profesionistë, por nëse nuk do të kishte qenë për presidentin tonë, Gjergj Livadhi, i cili bëri të mundur kompletimin e grupit tonë me Kristian Demajn e Rexhinaldo Zenelin, të cilët udhëtuan nga Gjermania këtu, vështirë se do të ishim shpallur kampionë.

Por pavarësisht suksesit dhe ndonëse nuk na dhanë asnjë mbështetje financiare, as kryetarja e bashkisë dhe as ‘Sport Klub Vllaznia’ nuk na kanë dhënë ende qoftë edhe një urim formal, diçka absurde, aspak normale për t’u pranuar, – shprehet Gjoni, që më pas kërcënon me largim dhe jo vetëm. – Jam pjesë e Vllaznisë prej 26- 27 vitesh dhe kam fituar 23 tituj kampionë, por pas turneut ‘Adem Jashari’ unë do të shqyrtoj tri oferta që kam marrë nga bashki të ndryshme të vendit, të cilat më kanë premtuar kushte financiare ideale, madje duke marrë me vete nga klubi Vllaznia edhe disa boksierë shkodranë, pasi pa ata puna ime nuk do të kishte kuptim.

ZEF-GJONI

Për më shumë, punën time do të vazhdoj ta bëj sërish në këtë palestër. Kjo palestër është e imja dhe e askujt tjetër. E kam bërë me gjak zemre dhe nuk guxon askush të vijë të më nxjerrë jashtë. Vetëm ta provojnë dhe më pas do e shohin, nuk më intereson se është pronë e Bashkisë Shkodër apo jo, palestrën e kam ndërtuar unë dhe nuk e liroj kurrë. Askush nuk guxon të veprojë e madje ata të bashkisë mund të vijnë vetëm duke më marrë leje edhe për të parë stërvitjen”.

Pas kërcënimeve ndaj bashkisë vjen edhe një për “Sport Klub Vllazninë”, ku tekniku Gjoni bashkë me disa trajnerë të tjerë pensionistë që kanë dhënë një kontribut të madh si Dedë Bregu i mundjes, Vildan Tufi i atletikës, Renato Radoja i basketbollit (që të katërt me titullin “Mjeshtër i Madh”), janë përjashtuar nga klubi dhe nuk paguhen më me honorare.

“Kjo është e çuditshme sepse të gjithë ne kemi një kontribut të madh dhe kemi një sërë titujsh, por klubi ka vendosur të na përjashtojë si pensionistë. Unë nuk e di pse ndodh kjo vetëm në Shkodër, kur në qytetet e tjera trajnerët pensionistë paguhen me honorare. Unë kam fituar 23 tituj kampionë dhe më takojnë të paktën 250 mijë lekë të vjetër në muaj, por nuk marr asgjë dhe kjo është e papranueshme”.

Senad Nikshiqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"