“Solla eksperiencën e Totenhemit dhe Barit”, Hysenbelliu: Prestige, model për profesionistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2020 | 16:45

“Solla eksperiencën e Totenhemit dhe Barit”, Hysenbelliu: Prestige, model për profesionistët

Me të shkuar tek akademia e Totenhemit apo skuadrës së njohur të Barit, Fatmir Hysenbelliu drejtoi dhe organizoi gjithçka në mënyrë perfekte. Duke u kujdesur për çdo detaj, në përfundim të këtij kampionati, ai ka edhe një mesazh për fëmijët, ata që organizojnë skuadra futbolli dhe se si mund dhe duhet të funksionojë futbolli.

Fatmir Hysenbelliu

Një kompeticion i ri, por Prestige ishte ekip prestigjioz me organizim perfekt në çdo detaj. Si ishte organizimi i skuadrës për ju?

Sa i përket organizimit, ne jemi shembull për çdo lloj sporti në Shqipëri, jo vetëm për amatorët, por edhe për profesionistët. Sidomos për profesionistët. Unë kam qenë vetë në Shqipëri pjesë e futbollit profesionist dhe nuk kemi pasur asnjëherë këtë organizim dhe nuk besoj që ndonjë skuadër ta ketë një të tillë në vendin tonë. Ky lloj drejtimi dhe organizimi ka ardhur nga përvoja që unë kam pasur si lojtar në akademinë e Totenhemit. Unë mendoj që nuk është vetëm për mundësitë financiare, por mbi të gjitha sekreti qëndron te mënyra se si duhet t’i menaxhosh gjërat. Menaxhimi, rregulli dhe fryma pozitive. Këto janë gjërat primare. E them këtë, sepse ka ekipe që shpenzojnë shumë herë më shumë dhe nuk e kanë këtë lloj organizimi.

Prestige, jo vetëm fitoi në këtë kampionat, por edhe dominoi…

Unë ua kam thënë lojtarëve para ndeshjes: “Ju jeni më të mirët e këtij kampionati”. Ata janë zgjedhur si lojtarët më të mirë dhe si çunat më të mirë. Nuk janë mercenarë, por të tillë që e kanë pasion futbollin. Lojtarë të cilët kanë qenë të talentuar në ekipet e moshave në vendin tonë, por për angazhime të ndryshme ose gjëra që ndodhin në Shqipëri, matrapazllëqe, e kanë lënë futbollin. Mirëpo, vazhdojnë të punojnë dhe pasionin e futbollit e zhvillojnë “part time”. Ne jo vetëm që fituam, por kemi zhvilluar edhe lojë të bukur në ndeshjet tona.

Prestigje kupa

Çfarë u keni komunikuar futbollistëve para kësaj finaleje?

U kam thënë lojtarëve: “Mos fitoni sot (dje) për gjëra të tjera, por vetëm për stërvitjen që bëjmë çdo ditë, për djersën tuaj”.

Keni luajtur në nivele të larta, por si ishte për ju që dëmtimi në gju të mos ju lejonte të shijonit në fushë këtë sukses?

Unë këtë vit kisha një rol tjetër, atë të trajnerit. Më pas na u bashkua edhe trajneri tjetër i cili e mori drejtimin në fazën e dytë. Ishte një eksperiencë e re për mua. Emocionet që më jep ekipi Prestige, është i tillë që nuk ka rëndësi nëse luaj apo jo, por më e rëndësishmja është që unë ta fitoj ndeshjen.

Keni komunikuar me miqtë para ndeshjes, çfarë ju kanë thënë?

Më pyeti një shok: “A ke dëshirë që të luash në këtë finale?” I kam thënë “jo”, sepse unë nuk kam luajtur në asnjë ndeshje përgjatë gjithë kampionatit. I thashë që merakun më të madh e kam që ta fitojmë.

Si njeriu kryesor që është kujdesur për çdo detaj të mbarëvajtjes së ekipit, a keni një dedikim për fitoren e këtij kampionati?

Dedikimi për këtë që arritëm shkon për ekipin dhe familjarët e mi.

Prestigj 2

Cilat janë planet tuaja në të ardhmen lidhur me sportin?

Nuk e di, por unë gjërat ose i bëj tamam siç duhet, ose nuk i nis fare. Këtë mentalitet kam. Jam shumë kërkues dhe konkurrues, si në stërvitje, si në një ndeshje miqësore dhe në çdo gjë. E tillë duhet të jetë fryma në mënyrë që të ecësh përpara. Të jesh pozitiv dhe kompetitiv në çdo gjë. Dhe në Shqipëri ekziston pak mentaliteti që jo çdo person mund të ëndërrojë. Mirëpo, është një gabim i madh. Secili nga ne mund të ëndërrojë. Madje, shoh fëmijë që janë nga 15 vjeç dhe u thuhet:

“Ti nuk ke shanse që të luash në Serinë A apo diku tjetër”. Mirëpo, ne shohim futbollistë edhe nga vende më të humbura sesa Shqipëria të cilët arrijnë të bëhen pjesë e Premier Ligës apo Serisë A. Gjithçka bazohet te stërvitja, stërvitja dhe vetëm stërvitja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"