Solidarizimi, biletat e “derbit” të Kategorisë së Parë do shkojnë për të prekurit e tërmetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 9:54

Solidarizimi, biletat e “derbit” të Kategorisë së Parë do shkojnë për të prekurit e tërmetit

Lushnja solidarizohet me të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit. Dhe duhet thënë që kanë gjetur ndeshjen e duhur, pasi këtë fundjavë do të matin forcat me Apoloninë dhe stadiumi pritet të tejmbushet. 

Lushnja-Apolonia

 

“KF Lushnja për ndeshjen me Apoloninë ka vendosur në bashkëpunim me bashkinë dhe tifogrupin ‘Delegatët’ që të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit”, thuhet në deklaratën e sekretarit Edison Koçi. Sakaq, ekipi po vijon përgatitjet interesave për “derbin” myzeqar. Verdhejeshilët kanë 19 pikë dhe ndodhen në vendin e tretë, ndaj do të tentojnë vetëm fitoren për të parakaluar rivalin historik që është i dyti. Një përballje e zjarrtë pritet të shtunën në orën 13:00 në “Roza Haxhiu”.

Ilir Gjyla duhet t’i bëjë llogaritë edhe me dëmtimet para këtij 90-minutëshi delikat. Veç kapitenit Sefa që mungon prej një kohe të gjatë, janë Mone, Alushi, E.Gjyla dhe Ruço që shqetësojnë. Trajneri shpreson te rikuperimi i tyre, ndonëse lajmet e para të mira vijnë nga mbrojtësi i krahut të majtë, Ledion Ruço. Ky i fundit për “Panorama Sport” konfirmon se gjendja e tij po vjen drejt përmirësimit. “Kisha një kontraktim muskulor. Në shpejtësi kisha probleme dhe nuk startoja dot. Pushimi i bëri mirë. Kam dalë në stërvitje, që nga e hëna dhe nuk kam pasur dhimbje. Ka kohë deri të shtunën, por besoj që do të jem i gatshëm. Është e kuptueshme, që për Lushnjën është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shpresoj që të jemi në lartësinë e ndeshjes”, është shprehur mbrojtësi.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"