“S’na mundin as kësaj radhe”, Ntepe sfidon kampionët: Në “Air Albania” tregojmë se cili është Bylisi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 21:30

“S’na mundin as kësaj radhe”, Ntepe sfidon kampionët: Në “Air Albania” tregojmë se cili është Bylisi

Ka katër sezone që luan si titullar në Ballsh dhe është një nga lojtarët që trajneri Dovedan i ka besuar disa role në fushë, jo vetëm vjet në Kategorinë e Parë, por edhe sivjet në Superiore. Ntepe Frank është nigeriani që po spikat edhe në elitë dhe drejtuesit e Bylisit nuk kanë gabuar me përzgjedhjen e tij kur erdhi në fillim.

ntepe bylis

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Ntepe Frank ka pohuar në prag të sfidës me Partizanin se: “Po e vlerësojmë shumë ndeshjen e radhës. Pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha në këtë pjesë të dytë, por edhe fati nuk ka qenë me ne. Po mundohemi të ruajmë fizionominë e skuadrës me lojën e bukur dhe rezultate pozitive.

Kemi luajtur ndaj Partizanit dy herë duke bërë më të mirën dhe unë besoj se edhe në këtë sfidë, nisur edhe nga fakti se luhet në një stadium të mrekullueshëm, besoj se Bylisi do të tregojë vlerat më të mira. Do të jetë një reklamë edhe për ne lojtarët luajtja në stadiumin ‘Air Albania'”.

SYNIMET- Nigeriani flet edhe për synimet e skuadrës ballshiote që tashmë vijon pjesëmarrjen në Kupën e Shqipërisë dhe në kampionat. “Tashmë dihet që Bylisi ka pritshmëri për më lart, si në kampionat, por dhe në Kupën e Shqipërisë. Shpresoj shumë që ne tashmë të marrim sa më shumë pikë edhe në kampionat”, vijoi nigeriani, që në fazën e parë i shënoi Partizanit gol në minutat shtesë duke i hequr fitoren.

ATMOSFERA- “Ekipi mund të jetë i ri në total, por ka shumë lojtarë me përvojë që kanë luajtur në Superiore gjatë gjithë karrierës së tyre. Kështu që ata përpiqen të ndihmojnë të rinjtë dhe kjo është arsyeja pse Bylis është një familje e bashkuar që lufton gjatë gjithë ndeshjes”, përfundoi prononcimin Ntepe për “Panorama Sport”.

BRAZILIANI- Ballshiotët po vijojnë përgatitjet, ndërsa trajneri Dovedan do të ketë gati brazilianin e linjës së djathtë Vicente Mercedes. Ndaj Kukësit nuk luajti për arsye familjare, por është gati për të kuqtë. Të shtunën në orën 17:00, ballshiotët nuk do të kenë Goxhën e pezulluar, si dhe Ndrecën e Peposhin, të dy të dëmtuar.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"