“S’na lejohen gabimet, pres fitore në Laç”, flet Daja: Derbi si bonus, sot duam kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 9:27

“S’na lejohen gabimet, pres fitore në Laç”, flet Daja: Derbi si bonus, sot duam kualifikimin

Konferenca e trajner it të Partizanit, Ilir Daja, u zhvendos sërish në ambientet e kompleksit stërvitor “Football Republic”, pas rikthimit të shkurtër që u bë në zyrat e klubit para ndeshjes derbi ndaj Tiranës. Dhe gazetarët si gjithmonë, ishin ata gjëmuan pas trajnerit kryeqytetas, për ta pyetur për sfidën ndaj Laçit në Kupën e Shqipërisë, si dhe për gjendjen e skuadrës në vigjilje të këtij takimi. Përveç përgjigjeve për ndeshjen, Daja foli edhe për rinovimet e lojtarëve, si dhe për gjendjen fizike të Ferhan Hasanit, që u afrua si emër “big” në muajin janar te të kuqtë.

ILIR DAJA

Profesor, ju shqetëson fakti që Partizani nuk e ka mundur asnjëherë Laçin dhe si është gjendja e skuadrës para kësaj sfide?

(Qesh) Po e nis vetë. Është një ndeshje që kualifikimi është 50 me 50, për vetë ecurinë e skuadrave deri më tani në kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë. Besoj se koeficienti fushë nuk është prezent, pasi nuk ka tifozë dhe nuk ka ndikim. Luhet jashtë, por është pa tifozë dhe gjithçka është e barabartë. Ne do luftojmë me gjithë potencialin që kemi dhe sot e kemi pothuajse të gjithë kontingjentin në dispozicion, përveç Ferhan Hasanit. Pavarësisht se e dimë që kemi një kundërshtar të fortë përballë, do të luftojmë shumë, pasi në kampionat e dimë që mund të bësh një hap fals dhe të rikuperosh, por në Kupë me sistemin me një ndeshje, duhet të japim maksimumin. Duhet ta mendojmë këtë ndeshje si një 90-minutësh ku duhet të japim gjithçka.

Shumë skuadra kur janë në dy fronte, mënjanohen disi dhe pa vetëdije nga njëri front. Partizani, lufton për të dyja frontet?

Shkojmë me maksimumin, pasi edhe rrugëtimi në kampionat është akoma i gjatë. Janë shumë pikë në lojë dhe shumë javë. Objektiv kemi edhe Kupën. Kundër Laçit, shkojmë me maksimumin e përqendrimit në këtë ndeshje.

Fitorja në derbi, a mendoni se e ka kaluar atë momentin “jo” të Partizanit?

Mendoj se me fitoren në derbi ka qenë një kthesë mjaft e mirë në aspektin psikologjik, pasi dihet triumfi në derbi veç tre pikëve të jep edhe një bonus psikologjik. Mendoj që kishim një ngërç në rezultate, por e përsëris për të disatën here nuk kishim shumë probleme me lojën ajo që në fund fare të jep garancinë për vazhdimësinë. Tani rikthehemi në qetësinë që kemi pasur, por natyrshëm kjo qetësi duhet të në shërbejë për të shfaqur nesër të gjithë vlerat tona maksimale.

Fitorja në derbi ju jep pak eufori, por me kaq shumë fitore sa keni marrë, nuk duket të jetë kështu…

Ky kampionat është aq i ngjeshur, ndaj nuk mund të mendosh dot për eufori. Çdo 3 ditë luhen ndeshje. Sa mbaron një ndeshje nuk ke kohë as të gëzosh as ndoshta të mërzitesh, sepse duhet të përgatisësh ndeshjen tjetër. Mendoj që përveç atij bonusi që thashë nuk ndikon në asnjë gjë tjetër.

Përpara derbit, keni thënë se kur të mbarojë ndeshja, do të fillojnë rinovimet e lojtarëve. Sa lojtarë do të rinovojnë dhe kur do të jetë zyrtarizimi i tyre?

Sot vjen edhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, dhe do të ulemi direkt e të flasim. Natyrshëm që do ta nisim me kontingjentin që kemi, sepse nuk mund të riformatojmë një ekip nga fillimi, një ekip që ka pretendime me objektivat maksimale siç është Partizani. Pra do ruajmë pothuajse një përqindje shumë të madhe të ekipit aktual dhe do mundohemi ta plotësojmë ekipin aty ku kemi shfaqur probleme deri tani. Do të mundohemi që të plotësojmë ekipin në mënyrë që të kemi këtë kontingjent dhe ta përforcojmë edhe më shumë.

Ferhan Hasani kur mund të rikthehet në fushën e lojës dhe a do të qëndrojë Jasir Asani edhe sezonin tjetër?

Besoj që nëse nuk do të ketë probleme me dëmtimin që ka pasur, mendoj që pas grumbullimeve të ekipeve kombëtare, pra pas ndeshjes me Teutën, mund të jetë i gatshëm të na ndihmojë për vazhdimësi. Asani është një lojtar shumë i rëndësishëm për Partizanin. Mendoj që të gjithë bashkë, e kemi në listën tonë, sikurse kemi edhe shumë lojtarë të tjerë të formacionit, por edhe të stolit të Partizanit. Megjithatë, do të ulemi së bashku edhe me drejtorin, për të konkluduar për anën financiare dhe më pas do vendosim të gjithë bashkë çfarë do bëhet në të ardhmen.

NDESHJET E DITËS SË SOTME TË KUPËS SË SHQIPËRISË:

kupa 1

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"