“S’na intereson Skënderbeu, duam qëndrimin në elitë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2012 | 10:50

“S’na intereson Skënderbeu, duam qëndrimin në elitë”

Pogradeci luan sot shansin e fundit për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Trajneri Ylli Çekiçi po projekton një formacion të kujdesshëm në fazën mbrojtëse dhe që di të dalë shpejt në kundërsulm, me synimin e vetëm për të befasuar Skënderbeun. Shpresat janë te dy sulmuesit: Tanushi dhe Eminhazeri. Nga ana tjetër, kapiteni Kopi Çerepi duket shumë optimist përpara kësaj ndeshjeje vendimtare. Për “Panorama Sport” ai thotë ndër të tjera se skuadra e tij do të luajë vetëm për fitore, pasi çdo rezultat tjetër mund ta zbriste nga Superiorja. “Është ndeshja më e vështirë e kampionatit, teksa varet fati ynë për të qëndruar apo jo në elitë. Nuk më intereson se kush del kampion, Skënderbeu apo Teuta, por më shumë më intereson fati i ekipit tim. Parashikimi im është që do të qëndrojmë në Superiore. Jemi të vendosur plotësisht si grup për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje jetike. Sado i fortë që të jetë Skënderbeu, ne luftojmë për të qëndruar dhe në Pogradec ka ndodhur që të mposhten dhe ekipe me më shumë emër. Do të dëshiroja që në këtë takim të dalin vlerat reale të një Pogradeci që meriton të mbijetojë”, – është shprehur kapiteni Çerepi.
Tanushi – Sulmuesi Eduard Tanushi u shpreh: “Tashmë dihen luhatjet që kemi pasur në fazën e dytë dhe kjo na bën që të mbledhim forcat dhe të triumfojmë ndaj Skënderbeut. Parashikoj një ndeshje me luftë sportive të ashpër, nga ku Pogradeci duhet medoemos të qëndrojë në Superiore. Skema që do të përzgjidhet me siguri do t’i japë përparësi lojës sulmuese. Shpresoj që të shënoj dhe skuadra të fitojë. Do të bëjmë të pamundurën për të mbijetuar në Superiore, nuk e meritojmë të zbresim”.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"