“S’na eliminoi as pensionisti Meta”, Noka ironizon gjyqtarin. Shikoni pikantet e Partizani-Besëlidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 23:28

“S’na eliminoi as pensionisti Meta”, Noka ironizon gjyqtarin. Shikoni pikantet e Partizani-Besëlidhja

– Sormani i kërkon Kalarit të përkthejë Koten: “Thuaji që të vrapojë më shumë pa top”. Në një rast tjetër tekniku italian tërbohet pas një finte të Kotes: “Më thoni ju mua tani, jam unë vallë i çmendur”.partizani 111

– Sormani u kërkon fëmijëve të topave të jenë më të shpejtë, duke ua bërë me duar që të shpejtonin, pasi për një moment nuk ishin të vëmendshëm.

– Elvis Plori ka ankesa te kryesori Meta për një top me dorë në favor të skuadrës së tij, por që nuk akordohet nga gjyqtari. Ia bën me shenjë që dora ishte e hapur, por Meta i kundërpërgjigjet që ishte e kundërta.

– Në një ndërhyrje të Kërçikut ndaj Bushit, lojtari i Partizanit shkon t’i japë dorën, por refuzon lojtari i Besëlidhjes.

– Pasi Sheta shkaktoi penalltinë, në një aksion pasardhës dërgon një top pa adresë, duke sjellë irritimin e teknikut Plori.

– Duket se rumuni i Partizanit, Deian Boldor ka mësuar shqip, sidomos për t’u dhënë zemër shokëve: “Bravo çuna, bravo çuna, vazhdoni”!

– Lojtari i Besëlidhjes, Edmond Hoxha, i lutet Zotit para se të hyjë në fushë, duke kërkuar ndihmën e tij në këtë ndeshje. Në fund, Zoti ishte me të dhe të gjithë Besëlidhjen, sepse kaluan në turin tjetër.

– Bitri pyet Boldor se pse nuk çohet, ai i bërtet: “Nuk mund të eci, kupton”. Ndërkohë, Telushi i kërkon stafit mjekësor të futet në fushë: “Nxirreni jashtë që të vazhdojmë lojën”.

– Kapiteni i Besëlidhjes, Klejdi Dibra, acaron tifozët e kuq. Pas një ndërhyrjeje në fushë, hyn stafi me barelë për ta nxjerrë jashtë, ndërkohë që nuk e nxjerrin në vendin më të afërt, duke irrituar tifozët dhe lojtarët. Pasi del nga fusha, Dibra çohet menjëherë në këmbë, si për të thënë që s’kishte asgjë serioze, duke marrë edhe të sharat e tifozërisë së kuqe.

– Në përfundim të sfidës, gjatë kohës që presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, po hynte në dhomat e zhveshjes për të përgëzuar lojtarët, “ngacmohet” nga një gazetar për kalimin në turin tjetër. Ai ia kthen: “Nuk na eliminoi dot as pensionisti Meta”, duke shigjetuar kryesorin e takimit, Kridens Metën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"