“S’na duhej pushimi, ruajmë ecurinë me Partizanin”, Cungu: Kampionat pa ekipe të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2019 | 13:17

“S’na duhej pushimi, ruajmë ecurinë me Partizanin”, Cungu: Kampionat pa ekipe të mëdha

Me ardhjen e Armando Cungut në krye në pankinës, Laçi është transformuar pozitivisht, gjë të cilën e tregojnë edhe rezultatet, ku kanë marrë 4 fitore radhazi. Në një prononcim për “RTSH” trajneri shkodran vlerëson ekipin dhe nisur nga angazhimi i lojtarëve shpreson te vazhdimi i ecurisë pozitive.

armando cungu1

“Laçi ka djem që kanë dëshirë dhe që japin më të mirën në fushën e lojës. Besoj se do të vijojmë kështu, sepse shoh angazhim te djemtë”, u shpreh fillimisht Armando Cugu për ekipin që drejton. Shumë skuadra e kanë vlerësuar ndërprerjen e kampionatit, pasi për arsye nga më të ndryshmet u ka vlejtur. Por, për laçianët dhe trajnerin Cungu, ndërprerja erdhi pikërisht në momentin më të mirë të skuadrës. Ekipi kishte kapur një ritëm suksesi, ndaj Cungu nuk e shikon për mirë ndërprerjen e kampionatit nga angazhimi i ekipeve kombëtare. “Besoj se për një ekip si i yni, që kishte ritëm dhe rezultate, kjo ndërprerje nuk është e mirë. Ndërsa për skuadrat e tjera, që kanë pasur dhe kanë probleme dhe duan të rikuperohen, sigurisht që kjo periudhë ndërprerjeje u bën mirë”, u shpreh Cungu.

laci

PARTIZANI

Pas 4 fitoreve radhazi prej ditësh, kurbinasit e kanë përqendruar fokusin e punës te ndeshja me Partizanin, që është kampioni në fuqi dhe kryesuesi i kampionatit. Përpos vlerësimit për kundërshtarin, Cungu pohon se këtë vit po zhvillohet një garë e çuditshme duke mos pasur më ekipe të mëdha. Trajneri shpreson që mungesat që ka në ekip të mos ndihen ndaj Partizanit dhe të marrin rezultatin që duan. “Kundërshtarët duhen respektuar, aq më tepër Partizani që është një emër i madh, kampion në fuqi në Superiore. Ne vlerësojmë çdo skuadër dhe e kam thënë edhe herët e tjera, është një garë e çuditshme ku nuk ka ekipe të mëdha. Kemi mungesa, por ata që do të luajnë, do të bëjnë më të mirën. E doja kontingjentin e plotë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë. Kemi të pezulluar nga kartonët, por edhe dëmtime. Kam besim se lojtarët do të japin më të mirën e tyre ndaj Partizanit”, përfundoi trajneri i Laçit, Armando Cungu.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"