Smajli: Tirana superiore, Kukësi do e ketë “pisk” nëse shënojnë bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2018 | 22:01

Smajli: Tirana superiore, Kukësi do e ketë “pisk” nëse shënojnë bardheblutë

Tirana luan një pjesë të sezonit në Kukës. Nëse rrugëtimin drejt Superiores e ka “shtruar”, të mërkurën i mbetet për detyrë që të luajë për kualifikimin në “Zeqir Ymeri”. Dritan Smajli i sheh bardheblutë tejet të avantazhuar, jo vetëm prej kualiteteve që kanë në organikë, por prej faktit që kundërshtari nuk e ka më fushën… aleat. Ish-mbrojtësi i të dyja skuadrave i bën “skanerin” kësaj sfide, ndërsa hapur e thotë që Kukësi nuk është më i frikshëm.

dritan smajli

Të mërkurën luhet “akti” final mes Kukësit dhe Tiranës. Si e parashikon Smajli këtë duel?

Dashuria ka përfunduar, tashmë secila ka objektivat e veta dhe duan me çdo kusht Kupën e Shqipërisë. Kukësi ka dalë jashtë garës së titullit dhe rrezikon shumë Europën, ndaj të gjitha bateritë do t’i shkarkojë të mërkurën për të shkuar në gjysmëfinale.

Pas atij barazimi 1-1 në “Selman Stërmasi”, kë shihni si më të favorizuar?

Në letër është i favorizuar Kukësi. Por, për atë që kanë prodhuar skuadrat në fushë, pashë një Tiranë më superiore, madje edhe kur ishte me 10 lojtarët. Rezultati u jep kredite vendësve, por ne po shohim që kësaj skuadre po i merr pikë çdo kundërshtar, edhe në shtëpi madje. “Zeqir Ymeri” ka qenë pika më e fortë e këtij ekipi kur luaja unë, por dhe vjet. Kukësi nuk kishte asnjë humbje, maksimumi ndonjë barazim. Por, këtë vit ka ndryshuar situata, pasi është mundur 5 herë, nga Luftëtari, Lushnja, Partizani, Skënderbeu dhe Kamza.

Doni të thoni që Kukësi nuk e ka më aleat fushën e vet…?

Po, nuk e kanë më aleat fushën. Një tjetër faktor janë edhe tifozët, që janë larguar nga stadiumi dhe nuk di përse. Kjo do të thotë që Tirana mund t’ia dalë, duke marrë shkak nga këto që përmenda më lart. Duke parë mënyrën e lojës që aplikon Tirana e Ze Marias dhe si po shfaqen lojtarët në fushë, mendoj se do të shënojnë gol dhe Kukësi do ta ketë të vështirë që ta kalojë këtë tur. Nëse Tirana përsërit ndeshjen e dy javëve më parë, do kualifikohen.

smajli

Çfarë shihni ndryshe te kjo Tiranë?

Tirana më duket një  skuadër më dinamike, më e shpejtë, më e disiplinuar dhe kjo falë punës së trajnerit. Pastaj ka lojtarë shumë herë më cilësorë në radhët e të huajve, krahasuar me vjet, që nuk dhanë asgjë. Kanë bërë mirë që i kanë lënë dorë të lirë Ze Marias, pasi ka marrë elementë që i njeh mirë. Kanë shumë cilësi brenda dhe janë një grup që mund të përballojnë me sukses edhe Superioren vitin tjetër, me 1 ose 2 ndërhyrje, pasi janë shumë të kompletuar.

Cilët janë lojtarët që mund të bëjnë diferencën në çerekfinale?

Te Kukësi nuk shoh ndonjë lojtar që mund të bëjë ndonjë diferencë të madhe, duke përjashtuar Bakajn, që është goleadori i Kukësit dhe ka cilësi. Te Tirana është ndryshe, ka cilësi në portë me Likën, ka Karabecin që po udhëheq skuadrën, pastaj në majë të sulmit kanë Ngoonë, që është një fenomen. Cilësor është edhe Maveje. Pra janë shumë. Ndërsa te Kukësi nuk e shoh një gjë të tillë dhe nuk e kuptoj çfarë kanë. Në një kohë që presidenti thotë që “ne nuk heqim dorë nga titulli”. Por unë mendoj se Kukësi duhet të sigurojë njëherë Europën, pasi titulli është shumë-shumë larg.

smajli

Keni luajtur te të dyja, ndaj fare mirë mund t’u jepni ndonjë këshillë si Tiranës ashtu edhe Kukësit?

Unë Tiranës dua t’i them që të bëjë të njëjtën lojë. Të mos tërhiqen, pra të luajnë në sulm, pasi nuk do hasen më me atë Kukës të frikshëm në shtëpi, që ishte tmerr për çdo kundërshtar. Ndërsa, Kukësin do ta këshilloja që të jetë më fanatik se kurrë dhe të mundohen të administrojnë rezultatin, pasi me Tiranën do e kenë shumë “pisk” dhe kam frikë që mund të eliminohen.

Si përfundim, sa mund të dalë ndeshja?

Të dy trajnerët duan ekip sulmues dhe, me këtë logjikë, pres një duel me gola. Ndaj them që mund të shënojnë të dyja, por parashikim fiks nuk bëj dot. Gjithsesi, shanset janë 60 me 40 për Tiranën.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"