Smajli: Tirana ngjitet nëse nuk gabon në shtëpi, e lashë futbollin pasi u mërzita me presidentët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2017 | 23:06

Smajli: Tirana ngjitet nëse nuk gabon në shtëpi, e lashë futbollin pasi u mërzita me presidentët

Kategorinë e Parë nuk e përballon dot gjithkush. Dhe jo prej forcës, por nga egërsia. Formula e këtij kam pionati është e atillë që të mban “pezull” deri në fund, ndaj për të siguruar ngjitjen, gabimet në shtëpi duhet që të shmangen. Ky është mendimi i Dritan Smajlit të paktën, ishmbrojtësi i bardhebluve, i cili, pasi e ka mbyllur me futbollin e luajtur, tashmë i është futur trajningut.

Të gjithë e mbajnë mend që ai vjet luante te Besëlidhja, ekip që diskutoi në javën e fundit ngjitjen me Kamzën. Dhe që Tirana të mos përsërisë gabimet e bëra nga lezhjanët, Smajli nuk ngurron që t’i japë disa këshilla të vyera. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai flet me superlativa për grupin e kryeqytetasve që, sipas tij, është gati për Superioren.

smajli

Dritan, si e gjykoni ecurinë e Tiranës në Kategorinë e Parë?

Kategoria e Parë është e egër. Tirana ka fatin të madh që është në grupin e Jugut dhe jo të Veriut, që është dhe më i fortë. Nuk mendoj që bardheblutë kanë gabuar shumë, pasi kjo formulë e kampionatit të mban me shpresë deri në sekondën e fundit. Edhe nëse Tirana do fitonte apo barazonte me ballshiotët, prapë do t’i përgjysmoheshin pikët dhe prapë do ta kishte afër Bylisin. Në të vërtetë nuk janë +4, por +2.

Mendoni që mund të mbyllet “lufta” në finish, ashtu siç ndodhi vjet mes Besëlidhjes dhe Kamzës?

Jo, s’e besoj. Unë i kam parë ndeshjet e Tiranës dhe mendoj se kanë skuadrën më të mirë dhe nuk mendoj se do rrezikojnë. Ka grup, financa, skuadër, emër dhe fanellë, me pak fjalë s’i mungon asgjë. Ata do ngjiten, madje mendoj se do të ketë shumë pak nevojë për afrime në merkato. S’kanë nevojë për revolucion, pra hiq 8 dhe merr 8.

A keni hasur ndonjë defekt tek ata këtë sezon?

Risku i vetëm lidhet me vetëmotivimin. Është vështirë që të karikohesh, pasi janë mësuar që të luajnë në nivel tjetër. Pa ofenduar asnjë skuadër, por të luajë Karabeci e Lika kundër Fushë-Krujës duket si e pamundur. Mua më vinte zor, për shembull, për vete. Më dukej sikur po luaja miqësore dhe jo kampionat. Të luash me ecje, jo me vrapim.

smajli

Një porosi mund t’ia jepni ish-ekipit, që të mos përsërisë gabimet që bëri Besëlidhja vjet?

Ne gabuam që barazuam shumë brenda në shtëpi. Dhe Tirana këtu duhet të bëjë kujdes. Besëlidhja u dëmtua nga ndalesat në Lezhë. Por Tirana, sido që të jetë, ka grupin, në ndryshim nga ne. Pastaj neve na lodhi edhe Kupa e Shqipërisë vjet.

Edhe Tirana është në Kupë, ka gjasa që ta penalizojë?

Ata kanë më shumë alternativa. Ne ishim laj-thaj-shpëlaj 11 veta.

Nëse bardheblutë nuk ngjiten, a do të ishte një tjetër dramë?

Do jetë dramë jo vetëm për Tiranën e lojtarët, por edhe për futbollin shqiptar. Nëse nuk ia dalin, lojtarët që të gjithë duhet të tërhiqen.

Kush është lojtari që ju ka rënë më shumë në sy në këto 9 javë?

Ai sulmuesi Ngoo, ishte “kafshë”. Më pëlqeu shumë ndaj Vllaznisë. Pastaj edhe Karabeci, që mbetet një lider në mesfushë. I njoh cilësitë e tij, ndaj e them me bindje se ai bën diferencën. Por pas nuk mbetet as Mavaje.

Lojtarë që s’ju bindin, a ka…?

Nuk ka në fakt, pasi të gjithë repartet kanë bindur. Mbrojtja pëson pak dhe Tirana ka dhe një sulm që shënon shumë. Edhe presidenti Halili ka një “bonus” shumë të madh, pasi me ngjitjen në Superiore, nuk do t’i duhet të shpenzojë shumë, duke qenë se grupin e ka.

dritan smajli

Çfarë kishte më shumë se ju Kamza vjet, që u ngjit në Superiore?

Nëse ne gabuam, Kamza nuk humbi kurrë në shtëpi. Pati vetëm fitore dhe barazoi vetëm me ne, me sa mbaj mend. Përfituan edhe nga “lodhja” jonë prej Kupës. Në të gjitha ndeshjet që duhet të luanim me Kamzën, na ka qëlluar që në mesjavë të përballeshim me Flamurtarin, Partizanin apo Tiranën.

Pasi kanë çeduar në dy ndeshje, i lejohet Tiranës që të hedhë më hapa falsë?

Nuk i falen. Por të jeni të sigurt që do të gabojnë rivalët. Bylisi nuk e ka skuadrën e Tiranës. Pra, ata jo vetëm që do t’i fitojnë që të gjitha ndeshjet, por do shkëputen edhe prej gabimeve të kundërshtarëve.

Këtë javë luajnë me Ilirinë në transfertë…

Të gjithë duan të tregojnë veten përballë Tiranës. Edhe në Lezhë, para se të caktohej se në cilin grup do luanin bardheblutë, ishin përgatitur për festë. Kjo po ndodh tani në grupin B, pasi të gjithë duan të luajnë përballë klubit më të titulluar në vend, pasi çdo lojtar do ta kishte një “plus” në CV. Kjo është gjëja më e rrezikshme që do të hasë Tirana, pasi të gjitha do t’i luajnë fort, për të kapur rezultat. Ndaj duhet të kenë shumë kujdes.

Tirana luan për një vend në çerekfinale javën tjetër në Shkodër. Mendoni se ka shanse Vllaznia për përmbysje?

Nuk e prisja atë rezultat. S’e mendoja që Tirana do ta mundte kaq lehtë Vllazninë, si me lojë ashtu edhe rezultat. Ndeshja e kthimit është e vështirë për Vllazninë, pasi Tiranës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mbroj rezultatin. Shkodranët do bëjnë të pamundurën që të bëjë përmbysje, por e kanë tejmase të vështirë ndaj një Tirane me forcë Superioreje.

smajli-me-dore-te-lidhur-gjeka

Kur thoni Tiranë me forcë Superioreje, nënkuptoni që nuk e meritonin as rënien?

Jo s’e ka merituar. Edhe pse jam tifoz i Vllaznisë, pasi atje kam kaluar 5 vite, kurrë s’e mendoja që njëra mes tyre do të binte. Por ky ishte verdikti i kampionatit. Keq na vjen, pasi, po të ishte Tirana në elitë, Skënderbeu nuk do ta kishte kaq autostradë.

E keni mbyllur me futbollin prej 6 muajsh. Si e morët këtë vendim?

E kam pasur të vështirë të ndahem nga futbolli. Gjithkush mund të thotë që shkaku ishte mosha, por jo. U tërhoqa se u mërzita shumë, t’ju them të drejtën, sidomos në 2-3 vitet e fundit në marrëdhënie me presidentët e klubeve dhe financat. Më lodhën shumë, pasi unë jam edhe familjar. Ndaj thashë më mirë ta lë, se sa të zvarritem duke kërkuar paratë e mia dhe djersën time.

Në futbollin shqiptar ekziston ende ky fenomen, me përjashtim të 2-3 skuadrave në Superiore. Në Shqipëri nuk guxon të humbësh kurrë dhe aq më pak të luash dobët, pasi gjithnjë do “ndëshkohesh” nga ana financiare. Bëra kursin dhe tashmë jam trajner i një ekipi lezhjan, Porto U-17.

Dhe si është Smajli si trajner?

Jam komod, por më besoni që edhe trajningu ka vështirësitë e veta. Madje, mund të them që të jesh trajner është shumë më e lodhshme sesa të jesh futbollist. Tani i kuptoj edhe ish-trajnerët e mi. Duhet të lexosh dhe studiosh shumë, pasi ke të bësh me shumë karaktere. Është e vështirë, por unë i kam hyrë kësaj pune dhe po e bëj me shumë qejf, pasi e kam pasion. Shpresoj që t’ia dal me sukses deri në fund.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"