Smajlaj shkëlqen në Bratislavë, atleti shkodran vendos një rekord të ri kombëtar
Izmir Smajlaj shkëlqen në mitingun ndërkombëtar të “indoor” që u mbajt dje në Bratislavë të Sllovakisë. Atleti shkodran i kërcimit për së gjati arriti të vendoste një rekord të ri kombëtar në sallat e mbyllura, duke tejkaluar veten e tij.
Smajlaj kërceu 7.9 metra dhe theu kështu rekordin e mëparshëm 7.77 metra, të cilin e kishte vendosur rreth një vit më parë në Ankona. Përveç vendit të parë në garë, Smajlaj u zgjodh edhe sportisti më i mirë i aktivitetit.
Mitingu i Bratislavës ishte një event testues në prag të një sezoni me gara të ngjeshura dhe tepër të rëndësishme, por ajo që duhet të theksohet është fakti se Smajlaj tashmë duket ta ketë lënë pas plotësisht dëmtimin në tendinën e Akilit, dëmtim që e ka penalizuar shumë gjatë vitit 2019.
Në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, atleti shkodran u shpreh shumë i kënaqur me paraqitjen e bërë dhe konfirmoi se tashmë ndihet në një formë optimale: “Ky ishte një test shumë i mirë për mua, pasi rikthehem të garoj pas dëmtimit.
Mund të them pa frikë që ndihem në formën time më të mirë”, deklaroi Smajlaj. Kujtojmë që 2020-ta është një vit tepër i rëndësishëm për atletikën shqiptare, pasi përveç Europianit dhe Botërorit do të mbahen edhe Lojërat Olimpike, aty ku tashmë e ka hipotekuar kualifikimin Luiza Gega.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"