Smaçi e sheh Apoloninë në elitë: Gati për kthesën e madhe, nuk lëmë më pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2021 | 18:11

Smaçi e sheh Apoloninë në elitë: Gati për kthesën e madhe, nuk lëmë më pikë

Apolonia evitoi humbjen në limit, por barazimi nuk kënaq askënd. Pretendimet e fierakëve nuk ndryshojnë, duan vetëm ngjitjen dhe në këtë sens çdo pikë e lënë është shqetësuese. I këtij mendimi është edhe mesfushori Eriseldo Smaçi, i cili për “Panorama Sport” thotë:

Smaci Apolonia

“Shpërdoruam shumë raste me Maliqin. Ishte vërtet ndeshje delikate, mirëpo ne prodhuam lojë. Na shqetëson më shumë humbja e dy pikëve sesa marrja e atij barazimi. Gara sa vjen e vështirësohet, prandaj ne duhet të punojmë shumë për ndeshjen e radhës që e luajmë në shtëpi përballë Tërbunit. Duhet të përpiqemi që të mos lëmë më asgjë rrugës.

Të mos demoralizohemi, sidoqoftë. Të mbledhim forcat dhe të punojnë shumë, që të gjejmë kthesën e madhe. Për këtë do të na ndihmojë trajneri, i cili është një profesionist i vërtetë. Ai na motivon shumë dhe kjo bën që të jemi gjithmonë të bashkuar. Synimi ynë është i qartë dhe nuk do të lëkundemi, përtej ndonjë gabimi që kemi bërë në nisje të këtij kampionati.

Mendoj se ne do ngjitemi në ‘Abissnet Superiore’ sepse jemi të angazhuar maksimalisht në kampionat. Rrugëtimi është i gjatë dhe i vështirë, mirëpo ekipi ynë i ka të gjitha mundësitë për të marrë rezultate pozitive në çdo ndeshje. Kemi besim të plotë që ne do ta arrijmë objektivin tonë sezonal. Kupa e Shqipërisë? Të them të drejtën Apolonia kërkon me ngulm kalimin e turit të parë. Duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në këtë kompeticion”, përfundoi mesfushori.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"