“Skuka si Xhafaj, Dinamo shkaktoi një autogol”, Bylykbashi: S’kishte kuptim që Daja të qëndronte, ja ku gaboi Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2022 | 22:05

“Skuka si Xhafaj, Dinamo shkaktoi një autogol”, Bylykbashi: S’kishte kuptim që Daja të qëndronte, ja ku gaboi Partizani (E PLOTË)

Një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore në kohën e tij dhe ish-lojtar i Vllaznisë e Partizanit ndër të tjera, Dorian Bylykbashi, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka folur për ndeshjen e së shtunës dhe është ndalur te zhvillimet e fundit te të kuqtë, si dhe te “fenomeni” Skuka.

Bylykbashi parizani

Si ju është dukur Partizani në ndeshjet e fundit?

Nuk i kam ndjekur në çdo ndeshje. Përballjen e fundit me Skënderbeun e pashë të gjithën. Krijuan lojë dhe raste, më pas erdhën edhe golat. E pashë në gjendje të mirë Partizanin. Skuka ka krijuar ecuri shumë pozitive. Dinamo e largoi dhe afrimi i tij i doli për hajër Partizanit.

A i bëri gol Partizani Dinamos me Skukën?

Në fakt, mendoj se Partizani nuk i bëri gol Dinamos me Skukën, por vetë blutë bënë autogol me largimin e tij. Gjithsesi, ata që e kanë në stërvitje çdo ditë dhe e shohin me hollësi dhe e dinë më mirë. Ndonjëherë për sulmuesit është edhe me të ecur pjesa e golit. Te Dinamo luante edhe në krah dhe goli nuk gjendet aq lehtë në atë pozicion. Në pamje të parë ai duket si një pykë e mirëfilltë. Trajneri që e ka pasur e di më mirë se si e ka menduar pjesën e vendosjes.

A i ka aftësitë Skuka për të bërë diferencën në Superiore?

Është i ri, 23 vjeç, ka të ardhmen përpara dhe e ka vetë në dorë gjithçka. Nëse do të punojë dhe të marrë ndeshjet me seriozitet, përse jo. Ka shënuar pesë gola që në start me Partizanin dhe kjo tregon shumë për aftësitë e tij. Edhe realizimet në ndeshjen me Skënderbeun tregonin cilësi. I dyti ishte shumë i bukur, dy lëvizje, dribloi portierin dhe goditi thuajse në të njëjtin hap. Kjo tregon se brumin e ka, mundësitë i ka, tani ka gjithçka vetë në dorë.

Cilit lojtar të “erës” suaj i ngjan më shumë Skuka?

Mund të them se i ngjan pak Daniel Xhafajt. Edhe Sukajt.

A ishte vendimi i duhur largimi i Dajës nga Partizani?

Daja është trajner profesionist dhe një nga më të mirët në vendin tonë. Gjithsesi, nuk mund të ndërrosh 15 lojtarë sa herë një ekipi nuk i shkojnë mirë gjërat. Në fund ai që mban përgjegjësinë më të madhe është trajneri. Ndoshta edhe Daja e ka kuptuar se diçka nuk ka shkuar.

Me kaq sa kemi parë nga jashtë, këto janë mendimet tona. Ndoshta nuk ka pasur edhe afrimet e duhura, megjithëse presidenti Demi ka lënë të kuptojë se Daja ka marrë lojtarët që ka dashur. Për mendimin tim Daja bëri mirë që gjeti një mirëkuptim me klubin për t’u larguar, sepse në pikën që ishte, nuk kishte më kuptim të qëndronte.

Emërimi i Mehmetit, vendim i duhur?

Këtë e tregon fundi i kampionatit. Ata morën këtë vendim dhe unë mendoj se nuk është gabim t’i japësh dorë trajnerëve të rinj. Ka disa vite që nuk po dalin shumë trajnerë të rinj dhe klubet po qarkullojnë emrat e zakonshëm si Gega, Duro apo Magani, të cilët u përfolën për Partizanin. Kanë menduar për një frymë të re dhe fundi i kampionatit do të tregojë gjithçka. Nëse del mirë, do të komplimentohen dhe nëse nuk shkon mirë, kritikët e futbollit shqiptar do të jenë si gjithmonë të gatshëm për të kritikuar.

Si i shihni ndryshimet e shumta që Partizani bëri në verë dhe në janar?

E kam thënë gjithmonë, ndryshimet e shumta nuk i bëjnë mirë asnjë ekipi dhe nuk bën përjashtim as Partizani. Një ekip, që gjithmonë është pretendent për titullin kampion, mund të bëjë vetëm ndonjë afrim, që ka dështuar në verë. Një ekip, që ka pretendime dhe synon objektiva të lartë, nuk duhet të bëjë më shumë se tri apo katër ndërhyrje. Më pas, këto hiq 8 e merr 9 dhe hiq 15 e merr 13 janë…

Të ndryshosh ekipin një herë në 5 muaj është si të bësh ekip të ri. Nëse e bën këtë të duhen minimalisht 2 muaj për të hyrë në ritëm. Rastësi të rralla janë që ekipi të ecë nëse bën shumë ndryshime. Mjafton të shohim Dinamon, që kishte pretendime të mëdha dhe tani po lufton për mbijetesë. Nëse sheh përbërjen, ka emra cilësorë, por erdhën thuajse 20 lojtarë të rinj dhe është e vështirë. Dinamo i ka 7-8 lojtarë shumë të mirë, por kanë vështirësi.

A e bën të suksesshëm këtë sezon fitimi i Kupës?

Në nisje të sezonit, Partizani ishte pretendent. Daja kishte një vit atje dhe shpresoja të bënin ndonjë përforcim ku kishin nevojë, pa shumë ndryshime e të ishin në luftë. Vitin e shkuar ishin shumë mirë, Partizani i Dajës ka luajtur shumë më mirë vitin e shkuar se këtë sezon.

Këtë vit, duke njohur Dajën, shpresoja shumë të shihja një Partizan që të luante futboll të bukur, të fitonte dhe të ishte në garë për titullin. Nuk shkoi siç as Daja nuk e kishte menduar. E vetmja gjë që e ngushëllon Partizanin tani është Kupa. Në këtë situatë që ndodhet Partizani tani, fitimi i Kupës do të quhej arritje shumë e suksesshme.

Kush është favoriti në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Partizanit?

Nuk e di si do të shkojë. Janë dy ekipet e mia të zemrës dhe nuk dua të përcaktoj një favorit. Partizanin dhe Vllazninë i respektoj në maksimum, dua që të dyja të jenë sa më lart në renditje. Nesër le të fitojë më i miri. Kam respekt për të dyja tifozëritë. Le të shohim futboll të bukur, që Vllaznia e ka treguar këtë sezon, ndërsa Partizani le të luftojë për të qenë minimalisht në katërshe.

Pse nuk e ndoqi dot Vllaznia Tiranën në garën për titull?

Në ato pak ndeshje që i kam ndjekur më janë dukur një skuadër shumë e mirë. Nuk e di çfarë nuk ka shkuar. Duhet të themi se është Tirana ajo ka pasur një hap shumë të mirë, të mos ia mohojmë vlerat, nuk është vetëm faji i Vllaznisë.

A është euforia e tifozëve, dhe jo vetëm, një problem për Vllazninë?

Jo, nuk mendoj kështu. Ai është një tregues i qartë se atje e përjetojnë shumë futbollin, e kanë si oksigjen. Është diçka që tifozëria e Vllaznisë e ka, por futbollisti nuk ka përse të ndikohet nga kjo. Është tjetër gjë ta shohësh futbollin në stolin e tifozit dhe tjetër gjë të jesh lojtar. Tifozët e Shkodrës janë të vetmit që duartrokasin edhe kundërshtarët.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"