“Skuka është transferimi rekord për futbollin shqiptar”, drejtuesi i Partizanit konfirmon: Ja pse Xhuliano zgjodhi Francën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2023 | 23:00

“Skuka është transferimi rekord për futbollin shqiptar”, drejtuesi i Partizanit konfirmon: Ja pse Xhuliano zgjodhi Francën

Xhuliano Skuka vendos një rekord të ri sa i përket transferimit të një futbollisti nga kampionati shqiptar. Këtë e konfirmon drejtori sportiv i Partizanit, Elton Marini, i cili ka theksuar se asnjë transferim i mëparshëm nuk ishte kryer në shifrat që kanë përfituar të kuqtë.

skuka

“Jemi të kënaqur që transferimi i Skukës, përveçse është një burim i mirë të ardhurash për financat e klubit, është një fakt historik për shifrën e dakordësuar. Asnjë klub shqiptar nuk ka bërë një transferim kaq të lartë deri më sot. Përveç kësaj është një transferim që kryhet në një kampionat të rëndësishëm dhe jo rëndom siç kemi parë në vitet e fundit shembuj si Turqi, Azerbajxhan, Hungari apo Kroaci”, tha Marini për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai saktësoi se tashmë po mendohej kjo mënyrë e re e sigurimit të të ardhurave nga klubet shqiptare dhe largimi i Skukës drejt Francës ishte një hap i parë i mirë. Ai gjithashtu zbuloi edhe ofertat e tjera që kishin mbërritur për lojtarin.

“Klubet shqiptare kanë filluar të ndërtojnë strategji të reja që të arrijnë të kryejnë shitje të lojtarëve drejt kampionateve më të mira të Europës. Jemi akoma larg, por rasti ynë i afron akoma më shumë ligat e forta me ekipet tona.

Tani që kemi dakordësuar për shitjen e tij, mund t’ju them që kemi pasur ofertë nga Dinamo Kiev, Leçe dhe Hellas Verona. Por Xhuliano dhe ne zgjodhëm Francën përpos shifrave edhe për një ambientim më të mirë të djalit, pasi flet gjuhën franceze. Shpresojmë që ai të bëjë sukses në Metz me mundësi për të shkuar më lart, në Ligue 1 ose në liga të tjera të forta europiane”, theksoi Marini për lojtarin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"