“Skuadra meriton notën 10, tani vjen pjesa më e vështirë”, Mateus: Nuk jemi më të fortë se Brazili e Franca

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 12:54

“Skuadra meriton notën 10, tani vjen pjesa më e vështirë”, Mateus: Nuk jemi më të fortë se Brazili e Franca

Lotar Mateus, ish-kapiteni rekordmen i kombëtares gjermane, u shpreh në një intervistë për “Bild” se trajneri Hansi Flik nuk duhet t’i selektojë lojtarët sipas vaksinimit, por për atë çfarë japin në fushë, duke i dalë në mbrojtje mesfushorit të Bajernit, Joshua Kimish, i cili ka refuzuar të vaksinohet.

Mateus

Çfarë mendoni për kaosin e krijuar për lojtarët e infektuar në kombëtaren gjermane?

Ishte një situatë jo e mirë, diçka që nuk i shërben askujt. Kjo tema e vaksinimit për mua është e kotë. Zyle ishte i vaksinuar dhe prapë u infektua duke rrezikuar dhe shokët e tjerë të skuadrës.

Mendoni se trajneri e ka të lehtë të përballojë një situatë të tillë?

Detyra e trajnerit është të zgjedhë lojtarët më të mirë për të luajtur. Hansi duhet të selektojë lojtarët që luajnë më mirë dhe jo ata që janë të vaksinuar apo jo. Ligjërisht askush nuk mund të detyrojë njeri të vaksinohet, edhe pse kam lexuar shpesh ditët e fundit që shumë pjesëtarë të kombëtares kanë bërë thirrje indirekte për vaksinim.

Të flasim për rezultatet, si do ta përshkruanit ecurinë e Flikut në këto shtatë ndeshjet e para?

Mund të them që kanë qenë perfekte në çdo aspekt. Skuadra ka rigjetur buzëqeshjen dhe të gjithë janë të lumtur me rezultatet. Jemi në Botëror dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Edhe pse mendoj që tani vjen pjesa më e vështirë për Hansin. Gjithsesi, mund të themi që ai ka bërë një punë të shkëlqyer duke rikthyer harmoninë e munguar në skuadër.

Është Gjermania një nga favoritet për të fituar Botërorin?

Emri është i madh, por mendoj që është ende herët për të folur për favoritë. Mendoj që Franca, Italia, Brazili dhe Argjentina kanë diçka më shumë për momentin. Ndaj, duhet t’i marrim gjërat një nga një dhe të shfrytëzojmë këtë moment për t’u rritur dhe për të mësuar nga gabimet e së shkuarës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"