“Skuadra ka personalitet se di të reagojë”, Mehmeti: Kur unë fokusohem te ndeshja, drejtori më flet për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2022 | 14:40

“Skuadra ka personalitet se di të reagojë”, Mehmeti: Kur unë fokusohem te ndeshja, drejtori më flet për të ardhmen

Partizani do të ndeshet me Vllazninë në sfidën e kthimit të fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në stadiumin “Loro Boriçi”. Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri i “demave”, Dritan Mehmeti, dha opinionin e tij për këtë takim.

DRITAN MEHMETI 2

Atmosfera? – Skuadra është stërvitur me entuziazëm, plus edhe faktori që jemi stërvitur gjatë kësaj kohe në shtëpinë e Partizanit, që i ka munguar prej shumë viteve. Kjo është meritë e presidentit, sepse është një investim privat dhe kolosal që do t’i shërbejë brezave të Pratizanit,. Në këtë situatë ta kuptojnë të gjithë se sa të rëndësishme janë rezultatet pozitive në një moment historik për klubin.

Si keni punuar me skuadrën? – Një nga faktorët kryesor që kjo skuadër tregon personalitet është në situatat që ekipi është në disavantazh ose në situata të vështira di të reagojë. Ky është një faktor që skuadra me stafin ka punuar shumë për të treguar personalitetin e duhur dhe të fokusohemi për t’u përmirësuar dhe ta vlerësojmë klubin ku bëjmë pjesë.

Partizani nuk fiton në Shkodër që nga 2020. – Duke pasur parasysh të gjitha faktorët, mendoj se një stadium i tillë është një kënaqësi të luash. Mendoj që do të jetë një ndeshje që do të ketë dhe tensionin brenda, për sa i përket mënyrës se si do ta perceptojnë lojtarët. Mendoj se miti jashtë fushës ka rënë edhe mendoj që arena e Shkodrës do të jetë një kënaqësi. Të dyja skuadrat do të nisen të barabarta. Do të fitojë më i miri.

Rrapaj? – Po punon në mënyrë individuale, si nga stafi mjekësor ashtu edhe nga përgatitësi atletik. Deri në 70% kemi mundësinë ta rikuperojmë. Sot kemi dhe një test të fundit, sepse ka pasur dhe disa shqetësime të vogla. Do të marrë një vendim sot pas stërvitjes.

Pësimin i golave? – Kemi pësuar me Laçin, sepse ka qenë më shumë një mungesë përqendrimi. Të marrësh një gol që në fillim të pjesës së dytë ishte një përqendrim i skuadrës. Nga këto gabime që kemi bërë kemi nxjerrë mësime. Te goli me Teutën kemi gabuar te pjesa jonë më e fortë, në vendosje, në momentin final, ku unë nuk e kisha përgatitur ashtu dhe kemi gabuar në goditjet standarde. Jemi përmirësuar sa kemi mundësi sepse dhe lojtarët janë të lodhur në aspektin psiko-fizik.

Bitri? – Dihen vlerat e tij, më vjen mirë që po e ririt performancën e tij, ka një cilësi shumë të mirë në lojën në ajër. Mendoj se ka akoma për të dhënë dhe të qëndrojë me këmbë në tokë. Punojmë për t’i shfrytëzuar aftësitë e tij, mundohemi që goditjet standarde t’i punojmë për t’ia lehtësuar mundësitë që ai të shënojë.

Aspekti teknik? – Që të punosh në aspektin tekniko-taktik duhet kohë. I kemi bërë dhe në mënyrë individuale por edhe në reparte. Megjithatë edhe koha është e shkurtër, por edhe situata në kampionat. Duhet të punojmë dhe në aspektin psikologjik. Në këtë situatë që ndodhet kampionati na duhet më shumë aspekti psiko-teknike.

Nëse del me penallti? – Mendoj që do të jetë një histori tjetër, edhe pse kemi barazuar ndeshjen e parë. Është një stadium që të dhuron emocione të veçantë. Mendoj se edhe tifozeria jonë do të jetë në stadium,. Nuk do të jemi vetëm. Do të përgatitemi në çdo detaj. Kemi humbur penallti, por edhe lojtarë të klasit botëror kanë humbur shumë herë. Unë mendoj se penalltia është psikologjike dhe mendoj se këta lojtarë që i kanë humbur mund t’i realizojnë me Shkodrën nëse shkon deri aty.

E ardhmja? – Tani po e marr vesh për drejtorin sportiv. Unë jam pjesë e klubit dhe flasim me të për shumë gjëra. Jemi gjatë gjithë kohën në kontakt për të mirën e skuadrës. Kur unë jam i fiksuar te ndeshja ai më flet për të ardhmen, sepse ka një vizion për ta dërguar skuadrën aty ku e meriton. Trajnerët janë kalimtar dhe klubi do të mbetet gjithmonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"