“Skuadra ia del pa mua”, Lorenco Vila humbet Skënderbeun: Teuta nuk gabon në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 21:58

FB Kategoria Superiore Lajmi i fundit Teuta

“Skuadra ia del pa mua”, Lorenco Vila humbet Skënderbeun: Teuta nuk gabon në Korçë

Teuta përmbysi Vllazninë dhe tashmë rikthehet në lojë për zonën “Euro”. Vetëm dy pikë më pak se Partizani i vendit të tretë, u japin shpresë durrsakëve në realizimin e objektivave. E megjithatë, rruga nuk do të jetë aspak e lehtë. Kërkohet vazhdimësi, ndonëse me Skënderbeun pritet të jetë një “malore” e vërtetë. 

lorenco vila

Edi Martini duhet të bëjë llogaritë pa Lorenco Vilën në këtë 90-minutësh, pasi zyrtarisht ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë. Autori i golit të tretë, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon emocionet e fitores me shkodranët. Sulmuesi shpreson që skuadra t’ia dalë edhe në Korçë, ndonëse ai vetë mungon.

Pas fitores me Vllazninë, mund të themi se Teuta u kthye?

Jam shumë i kënaqur. U përballëm me Vllazninë, që luan mjaft mirë. Por ne fituam me lojë, zemër e dëshirë, pra me pak fjalë në të gjitha komponentët. Çunat kanë dhënë më shumë se maksimumin në fushë dhe për këtë unë dua t’i falënderoj të gjithë shokët.

Nuk po u ndaheni golave, shënuat edhe me Vllazninë… 

Punuam shumë gjatë javës për këtë ndeshje dhe na shkoi mirë. Fituam ndaj një kundërshtari të vështirë. Tani duhet të vazhdojmë kështu, për t’u përmirësuar edhe më shumë. Unë e nisa ndeshjen me disa gabime, por me kalimin e minutave gjërat erdhën duke u përmirësuar. Më pas dola te goli, që është mjaft i rëndësishëm për një sulmues.

Erdhën edhe golat, a u çlirua sulmi?

Mendoj se duhet të kishim shënuar më shumë gola ashtu si rrodhi loja. Ne patëm shumë raste. Vazhdojmë të prodhojmë lojë, ashtu si edhe në ndeshjet e tjera, por shënojmë pak. Për mua, janë pak edhe tre gola që shënuam ndaj shkodranëve, pasi duhet të jemi më produktivë në vijën e parë. Gjithsesi, këtë do ta shohim javët në vazhdim. Ky tregolësh është vetëm fillimi.

Teuta udhëton pa ju të shtunën në Korçë. Si e parashikoni këtë javë?

Nuk ka ndeshje të lehta në këtë kampionat. Skuadra e ka vetë në dorë t’i bëjë ndeshjet të lehta. Skënderbeu nuk është aspak kundërshtar për t’u anashkaluar. Së fundmi, barazuan me Tiranën dhe ne duhet të kemi shumë kujdes. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe atëherë mund të themi se jemi Teuta që kërkojmë dhe presim të gjithë. Pas fitores ndaj Vllaznisë, jemi fokusuar vetëm te Skënderbeu.

Çfarë i ka munguar Teutës në këto 22 javë që duhet rregulluar më tej? 

Golat, asgjë tjetër. Ne jemi skuadra që kemi prodhuar dhe prodhojmë më shumë lojë se çdo ekip tjetër i këtij kampionati. Të këtij mendimi janë të gjithë, pasi Teuta duket në fushë se çfarë ekipi është. Pas gjetjes së portës kundërshtare tri herë në këtë takim, mendoj se edhe golat janë rikthyer.

 Ku e shihni Teutën në fundin e sezonit? 

Është ende herët për të folur, por duke parë cilësitë që kemi, mendoj se do jemi në treshen e parë. Shpresoj shumë, pse jo dhe në krye. Por kjo do të shihet pas përfundimit të këtij sezoni.

Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com