“Skuadra është kompletuar”, flet Martini: S’ka më gabime, tani prisni Teutën e vërtetë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 26, 2020 | 8:17

FB Kategoria Superiore Kryesore, Superiore LAJMI KRYESOR Të fundit Teuta

“Skuadra është kompletuar”, flet Martini: S’ka më gabime, tani prisni Teutën e vërtetë

Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka folur për “Panorama Sport” një ditë para ndeshjes kundër Bylisit. Ai ka prekur disa tema në lidhje me këtë takim dhe me skuadrën e tij. Numri një i stolit durrsak foli për problemet në sulm, kundërshtarin e radhës dhe objektivin që ka në këtë ndeshje.ed-martini

Si e patë ekipin kundër Laçit, e prisnit humbjen?

T’ju them të drejtën, nuk e prisja, gjithsesi e kam theksuar dhe më përpara, Laçi e ka merituar fitoren. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar për të rregulluar ato gabime që kemi bërë ndaj Laçit dhe normalisht s’jam i kënaqur nga loja si kemi luajtur, por gjithsesi mendoj që ndaj Bylisit do të jetë ndeshje tjetër.

Çfarë nxorët nga analiza e pasndeshjes me Laçin? Jeni të qartë tani për atë çka duhet të bëni më mirë dhe atë që duhet të kërkoni?

Patjetër, gjithmonë pas çdo ndeshjeje dhe kur fiton, por sigurisht kur humb, duhet të riparosh shumë gjëra. Kështu që, ne e kemi parë ku ka çaluar ekipi dhe shpresoj që ketë ndeshje t’i riparojmë ato që kemi bërë.

Si e keni përgatitur ndeshjen me Bylisin?

Normalisht, në të tilla situata, kur ekipi humbet, duhet të ruash qetësinë. Duhet të flasësh me lojtarët, pasi ne jemi mësuar edhe kur humbim, duhet të jemi të fortë, por edhe kur fitojmë, s’duhet të gëzojmë shumë.

Skuadra çedoi në sulm. Mendoni se me tri blerjet e reja do të ndryshojë diçka?

Unë e kam theksuar edhe më parë që nuk janë vetëm sulmuesit, por është i gjithë ekipi ai që sulmon. Gjithsesi, sulmuesit maten me gola dhe unë shpresoj që sulmuesit ta gjejnë rrugën e golit.rubin hebaj

Hebaj i afruar së fundmi do të jetë gati për Bylisin? A është në formën e tij më të mirë?

Hebaj nuk është në 100% e tij më të mirë, por do të jetë i gatshëm në stolin e rezervave dhe do të shohim gjatë lojës nëse do të aktivizohet.

Me afrimet e bëra, e shihni të kompletuar ekipin apo ka ende vend për afrime?

Jo. Duke parë afrimet e fundit, mendoj se skuadra është e kompletuar dhe s’ka nevojë më për afrime.

Kur mendoni se mund ta shohim Teutën e vërtetë?

Unë besoj dhe e them me bindje se Teutën e vërtetë do ta shihini që këtë javë dhe brenda dy javësh do të jetë ajo Teutë që do të bëjë lojën e vet.

 Si është gjendja e Stivi Frashërit dhe a do të jetë gati për lojë?

Ne kemi biseduar me Stivin. Ai do të jetë i gatshëm për ekipin, pavarësisht dëmtimit që ka pasur. Më pëlqen forma që ka treguar këto ditë në stërvitje, por edhe karakteri i tij për të luajtur dhe mendoj që është në rregull.

ZAMIR QYPI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com