Skuadra e Superiores kthehet 27 vite pas, 2 humbje radhazi i pësonte në… Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2022 | 23:03

Skuadra e Superiores kthehet 27 vite pas, 2 humbje radhazi i pësonte në… Kategorinë e Dytë

Përmirësimet e dukshme që ka pasur futbolli në Rrogozhinë vijnë edhe nëpërmjet disa statistikave interesante. Jemi ndalur te dy humbjet më të fundit, që i përkasin 27 viteve më parë. Në Kategorinë e Dytë konkretisht.

Egnatia Vitobelo

Takimi i parë është luajtur në Cërrik dhe është humbur 3-1 më datë 9 tetor 1994, ndërsa i dyti në fushën e saj në Rrogozhinë, një jave më pas është humbur 0-1 ndaj Sopotit.

Pas këtij sezoni, të gjitha rezultatet e tjera nuk kanë pasur në start përfundime me dy humbje, siç po i ndodh për herë të parë Egnatias në përfaqësimin e saj të tretë në elitë, ku ka humbur ndeshjen e parë 1-2 në Elbasan me Partizanin dhe ndeshjen e dytë në “Arena Egnatia” 0-2 karshi Tiranës.

Natyrisht ka ndikuar ky kalendar “ferri”, që i ka penalizuar shumë. Pa harruar edhe përvojën më të ulët në raport me ekipet e tjera që luajnë në Kategorinë Superiore. Por duke qenë se gara sapo ka filluar dhe dihet se çfarë investimesh të mëdha janë bërë tek Egnatia, veçanërisht në tri sezonet e fundit, të gjithë mendojnë se kjo situatë paksa e ndërlikuar e momentit, do të kapërcehet shpejt. Kthesa madje mund edhe të mos vonojë duke llogaritur se sfida e radhës në Laç, me një kundërshtar ndaj të cilit kanë epërsi në statistikat e ndeshjeve të derisotme në elitë, ku Egnatia ka më tepër se dyfish fitore ndaj Laçit. Raporti është 5-2 në favor të rrogozhinasve dhe në golavarazh 9-4 po për Egnatian. Ndonjëherë, edhe statistikat bëhen frymëzuese dhe kanë vlerën e tyre të motivimit.

egnatia1-470x353

RASTI 1 – Nëse në sezonin 2004-2005 starti ishte një ndeshje në Kavajë ndaj Dinamos, që nuk u luajt në ditën e datën e caktuar, sepse ishte e caktuar të zhvillohej në stadiumin “Besa”. Bashkia e atëhershme nuk ia hapi dyert e stadiumit me pretendimin se nuk kishin njoftim dhe drejtuesit e Egnatias nuk kishin siguruar një leje normale. Statistikat e 18 viteve më parë ecën vërtet me dy humbje, por ato i përkasin javës së dytë në Peqin ndaj Tiranës me shifrat 0-2 dhe javës së tretë me shifrat 2-3 ndaj Vllaznisë në Shkodër.

Kur ndeshja e parë e prapambetur, ajo me Dinamon u vendos të luhej në Lushnjë. Rrogozhinasit bënë një ndeshje mjaft të mirë dhe arritën ta fitonin në “Roza Haxhiu” edhe me përmbysje. Ishte dyshja elbasanase e Gentianëve, Bylykbashi në fillim në minutën e 38-të dhe më pas Stojku në të 49′-ën që e lanë të jetonte pak barazimin e përkohshëm nga Stafa në minutën e 46-të për dinamovitët. Egnatia fitonte 2-1.

RASTI 2 – I përket sezonit të kaluar, kur edhe pse humbi 1-3 me Kukësin në javën e parë më 12 shtator 2021, në Kategorinë Superiore Egnatia do të befasonte shpejt, kur një javë më pas arriti të barazojë brenda në kryeqytet ndaj Tiranës. Edhe pse u gjend në fillim në dizavantazh nga goli i Talulant Seferit në 51′-të, nuk kaluan 6 minuta dhe Egnatia barazoi 1-1 me anë të Demir Imerit dhe ky rezultat u hipotekua si përfundimtar.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"