Skuadra e Kategorisë së Parë “pazar” në Japoni, mesfushori nis stërvitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2021 | 13:17

Skuadra e Kategorisë së Parë “pazar” në Japoni, mesfushori nis stërvitjen

Elbasani nuk po di të ndalet në merkato, duke qenë një nga skuadrat më aktive të janarit. Pas afrimit të lojtarëve nga Brazili dhe Afrika, verdheblutë janë zhvendosur në Japoni. Juto Matsuno i është bashkuar skuadrës ditën e djeshme, duke e çuar në 4 numrin e përforcimeve. Ai është fantazist, por më së miri mund të luajë edhe pas sulmuesve. Gjatë provave të bëra në stërvitjen e parë, ka mahnitur stafin teknik dhe pritet që klubi të mos hezitojë dhe ta federojë për pjesën e mbetur të sezonit. Për të tentuar mbijetesën, Elbasani ka vendosur që të bëhet… universal.

bandicam 2021-01-10 13-15-35-088

Misioni nuk do të jetë aspak i lehtë, kur sheh mangësinë e pikëve. E megjithatë, elbasanasit nuk kanë në plan që të dorëzohen pa luftuar. Me skuadrën që po transformohet, mendojnë se shanset për të shpëtuar do të rriten. Një nga lojtarët e afruar rishtas është larguar. Bëhet fjalë për afrikanin Kuje, i cili luante në sulm. Ai nuk ka bindur dhe stafi teknik nuk e pa të nevojshme që ta vijonte aventurën me verdheblutë. Ndërsa Ribeiro, Andres, Kalu dhe Solomon vazhdojnë të stërviten. Sakaq, verdheblutë sot do të luajnë miqësore me Gramshin, e cila do t’i shërbejë trajnerit për të parë edhe prurjet.

TË TJERËT

“Pazar” po bëjnë edhe në Kategorinë e Parë. I radhës që pritet të afrohet është Klejvis Elezi, i cili ka qenë pjesë e Egnatias. Sulmuesi njihet mirë nga Anxhelo Suta dhe, me shumë gjasa, 19-vjeçari do të zbresë në fushë që sot. Pas disa goditjeve në fazën ofensive, sytë këto ditë do të hidhen te prapavija. Edhe pse janë piketuar disa lojtarë, problem mbeten kontratat me ekipet e tyre.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"