Skuadra e Kategorisë së Parë me ide të qarta në merkato, i bën ofertë ish-lojtarit të Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2021 | 12:57

Skuadra e Kategorisë së Parë me ide të qarta në merkato, i bën ofertë ish-lojtarit të Teutës

Erzeni i ka idetë të qarta, do të ndërtojë ekip për elitën. Edhe pse pa zhurmë dhe në fshehtësi të plotë, shijakasit do ta nisin me ambicie të mëdha sezonin 2021-2022. Pasi morën Nevil Deden në “timon”, shumë shpejt do të konkretizohen edhe blerjet e para.

Erlis-Frasheri

“Panorama Sport” mëson se në planet e drejtuesve është edhe Erlis Frashëri. Ky i fundit kërkohet edhe prej Maliqit, megjithatë duket se do të ketë “garë” për shërbimet e mbrojtësit të djathtë. Me korçarin kanë nisur bisedimet, por ende nuk mund të flitet për akord.

Paralelisht, klubi po punon edhe me rinovimet. Vërtet shumica e titullarëve janë larguar, e megjithatë gati 60% e organikës do të ruhet. Është vetë shefi i klubit, Luiz Çullhaj, që e konfirmon këtë për gazetën:

“Nuk po arrihej dot akordi me shumicën e futbollistëve dhe kjo na imponoi që të insistonim. Pas negociatave të fundit, mund të themi me siguri se 60% e ekipit do të qëndrojë edhe sezonin 2021-2022.

Prezantimi i projektit të ri klubit dhe emërimi i Nevil Dedes në krye të pankinës ka bërë që ata të ndihen të sigurt dhe të mos jenë të dyzuar për të hedhur firmën në kontratë. Sigurisht që do bëjmë edhe afrime në merkato, por ende nuk mund të flasim për zyrtarizime.

Mund të them se janë piketuar lojtarët e duhur dhe shpejt do të shkojmë drejt marrëveshjes. Megjithatë, nuk mund të bëjmë me dije emrat e tyre në kushtet që jemi. Do jenë vërtet goditje dhe çdo repart do të jetë i përforcuar. Kështu do të lëmë pas vuajtjet e sezonit të vjetshëm”.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"