Skolls rikthehet të sulmojë Murinjon: Edhe Mesi do vuante te Junajtid, Pogba bën gjëra të tmerrshme në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 23:27

Skolls rikthehet të sulmojë Murinjon: Edhe Mesi do vuante te Junajtid, Pogba bën gjëra të tmerrshme në fushë

Pas përfundimit të pushimit të Ligës së Kombeve me një fitore të shkëlqyer, futbolli anglez i rikthen sytë nga Premier Liga. Dhe cila është mënyra më e mirë për t’u rikthyer menjëherë në klimën e kampionatit, nëse jo me polemikën e zakonshme të Pol Skollsit ndaj Zhoze Murinjos? Në një intervistë të gjatë për “ESPN”, simboli i “djajve të kuq” rikthehet të sulmojë trajnerin portugez për mënyrën sesi po e menaxhon Junajtid, por i tërheq veshin edhe ndonjë lojtari të veçantë, i cili, sipas tij, nuk po jep gjithçka nga ajo që mundet.

Skols Mesi

Por, përse Skolls vazhdon të flasë për skuadrën? Ka ndonjë axhendë sekrete?

As që bëhet fjalë… Unë them atë që mendoj, qoftë e drejtë apo e gabuar. Jam vetëm një tifoz i mërzitur i Junajtid, babai i një djali që shkon në të gjitha ndeshjet, në shtëpi apo transfertë.

E njihni Murinjon personalisht?

Aspak. Vetëm kur kam luajtur kundër tij. Më pëlqente shumë të shikoja intervistat e tij, mënyrën e të qenurit arrogant. Por, ai Murinjo nuk është më, tani është vetëm Murinjo që ankohet, ai që është i mërzitshëm. Nuk bën asgjë tjetër, veçse ankohet për atë që nuk ka, por duhet të shohë atë që ka. Thotë gjithnjë se është më i miri në botë. Epo ka ardhur koha që t’ua tregojë të gjithëve.

Shumë para janë hedhur për Pogbanë. A i ka justifikuar ai ato me Junajtid?

Pogba është 25 vjeç dhe është një nga më të mirët në qarkullim. Por pastaj ndonjëherë e stakon trurin dhe bën gjëra të tmerrshme në fushë, diçka që te Juventusi nuk ndodhte kurrë.

Cili transferim do ta zgjidhte problemin e Junajtid?

Duket sikur çdo lojtar që vjen në skuadër vuan. Kam përshtypjen se Mançester Junajtid edhe po të blinte Mesin, edhe ai do të kishte probleme për të dhënë maksimumin në këtë skuadër.

Te Junajtid kanë ndodhur shumë ndryshime që kur ju i dhatë fund karrierës. Çfarë mendoni për skuadrën aktuale?

E urrej shprehjen “kur luanim ne, bënim këtë apo atë”. Kur shoh skuadrën aktuale, nuk mendoj se ka mungesë kualiteti. Por, mendoj se mungojnë disa lojtarë klasi që skuadrat e tjera të mëdha duket se i kanë.

Në cilat role?

Një lojtar që lidh mesfushën me sulmuesit.

Një lojtar si Luka Modriç?

Po, një lojtar që lidh repartet dhe kontrollon. Por, janë dy lojtarë të ndryshëm. Lojtari që lidh duhet të ketë cilësinë e pasimit dhe krijimit.

Ashtu siç bënit ju?

E bëja pak unë. Por, mendoj më shumë për një De Brujne, Hazard apo David Silva. Ne kemi Lingardin, i cili në ditën e tij më të mirë mund të jetë ai lloj lojtari, por nuk dihet kurrë se cili është pozicioni i tij më i mirë. Mata i ka ato cilësi, por trajneri e vë të luajë në krah të djathtë dhe ai nuk do të ketë kurrë fuqi për të luajtur në atë pozicion. Edhe unë kam luajtur në krah dhe e urreja. Pjesa tjetër e skuadrës është OK. Marsial dhe Rashford janë dy lojtarë të talentuar, ata duhet vetëm të zhvillojnë vetëbesimin. Më tremb fakti që këta lojtarë të talentuar do të shiten dhe do shkëlqejnë në një tjetër klub. Mendoj se kjo do të ndodhë me Marsialin.

Cilat ekipe ju pëlqejnë të shikoni?

Realin, Barcelonën, Sitin, Liverpulin. Do të preferoja të thosha Junajtid sesa ndonjë nga këto.

Cilët lojtarë ju pëlqejnë të shikoni?

Modriç, Kros, Mesi. Të shihja Mesin kundër Totenhemit, më bëri të mendoja përsëri për debatin Mesi apo Ronaldo?

Cili është më i miri?

Mesi, por edhe Ronaldo është i shkëlqyer.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"