Skolari dyshon për komplot nga FIFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2014 | 18:15

Skolari dyshon për komplot nga FIFA

SkolariKur Brazili u favori zua nga gabimet e arbitrit në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, ndaj Kroacisë, u aludua se kjo skuadër do merrte një “dorë” për të pasur një ecuri të suksesshme në këtë kompeticion. Por, duket se me kalimin e ndeshjeve, po ndodh e kundërta. Drejtuesit e “seleçaos” kanë nisur të dyshojnë për një komplot në dëmin e tyre. Trajneri Luiz Felipe Skolari dhe bashkëpunëtori i tij Parriera po përgatiten për akuza në drejtim të FIFA-s. Ka qenë media lokale e Sao Paolos, ajo që ka zbuluar pakënaqësitë e stafit teknik të Kombëtares. Sipas tyre, Skolari është i pakënaqur për mënyrën se si janë trajtuar nga arbitrat, duke u penalizuar jo pak herë. Është i pakënaqur për faktin që kanë pezulluar drejtorin e marrëdhënieve me median në Federatë, për shkak të akuzave ndaj Kilit. Dhe mbi të gjitha, dyshon për një komplot të organizmit drejtues të futbollit, në favor të Holandës. Sipas kreut të pankinës së Brazilit, është e çuditshme që nuk u pezullua Robeni, edhe pse pranoi publikisht që kishte simuluar në fushën e lojës, por lejohet që të ndihmojë “tulipanët” në rrugën drejt finales apo triumfit. Në ndeshjen e radhës, vendësit do përballen me Kolumbinë dhe në varësi të ecurisë së kësaj sfide, do të jetë edhe reagimi i Skolarit. Në fakt, kjo është komentuar gjithashtu si një taktikë e mundshme për të hequr mbi supe presionin që kanë pasur futbollistët kohët e fundit dhe njëkohësisht të vënë nën presion arbitrat, në mënyrë që të jenë më të kujdesshëm në raste momentesh të dyshimta në dëm të “seleçaos”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"