“Skllevërit” e FSHF-së dhe shkatërrimi i futbollit të Jugut të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 14:15

“Skllevërit” e FSHF-së dhe shkatërrimi i futbollit të Jugut të Shqipërisë

Nga Besnik Dizdari

Besnik-Dizdari

Kanë shpërthyer! Kanë shpërthyer plot gëzim ngaqë Vllaznia e 9-pikëshit largësi, u mbërrit! Dhe Kampionati qenka zbukuruar! Kjo, ngaqë katër skuadra kryesuese janë baras ose vetëm 2 pikë ndryshim midis tyre. Të tjerat nuk kanë rëndësi. Kjo do të thotë se Kampionati i Shqipërisë qenka zbukuruar, edhe pse mungojnë Vlora e Elbasani, Berati e Gjirokastra, Kavaja apo Lushnja. Pa harruar Dinamon, 18 herë kampione. Me një fjalë, qenka zbukuruar, edhe ndonëse Futbolli i Jugut të Shqipërisë thuajse nuk përfaqësohet në Kampionat. Dhe nëse vazhdon ta udhëheqë asisoj futbollin kjo FSHF e sotme, as mos të të shkojë ndërmend se do të mund të përfaqësohet Jugu i Shqipërisë, që sa është pjesë e fuqishme e themelit të futbollit shqiptar, po aq ndër vite është krenari parësore e tij. Historitë dihen e nuk po i përsëris këtu.

Ajo që po përsëris është kjo tjetra: po nuk u bënë 14 a 16 skuadrat për çartificializimin e së sotmes, që quhet me vetëmadhështi “Superligë”, Futbolli kampional i Jugut të Shqipërisë, të duket gati-gati se duhet të marrë rrugën për në Greqi. Ose të paktën të marrë rrugën për në Janinë që dikur ka qenë shqiptare.

Ja tash dhe Renditja, mbas Javës së 14- të, e Grupit B të Kategorisë II (se II është):

1. EGNATIA / Rrogozhinë 28

2. TOMORI / Berat 23

3. KF POGRADECI / Pogradec 22

4. BESA / Kavajë 18

5. KS LUSHNJA / Lushnje 16

6. TURBINA / Cërrik 14

7. FLAMURTARI / Vlorë 10

8. KS ELBASANI / Elbasan 0

* Ndërkohë nuk ekziston askund skuadra Luftëtari e Gjirokastrës.

Ndërkaq, le të përsiatim një “strategji” të thjeshtë. Nëse nga ky grup, në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë ngjitet një skuadër, siç thotë rregullorja; bie fjala, të ndodhte që të ngjitej KS Elbasani – dy herë Kampion i Shqipërisë që ka 0 pikë; e vitin tjetër Flamurtari i Vlorës – kampion e legjendari ynë i Kupave të Europës që sot ka vetëm 10 pikë si i parafundit në grup; e vitin tjetër Tomori i Beratit, i cili përherë me futbollin e tij ka zbukuruar tejet jetën e qytetit-muze; e një vit më vonë të ngjitej Besa që ka qenë simbol qytetar në jetën sociale e shpirtërore për Kavajën e futbollit; e vitin tjetër të ngjitej KS Lushnja e Roza Haxhiut dhe e Kristaq Gogonit, atëherë besoj se e kuptoni që duhet e pakta një 6-vjeçar e ndoshta një dekadë për t’u kthyer këto skuadra qytetare të vjetra në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë.

Ndonëse kanë luajtur role të pafund në 90 vjet të jetës së tij. Kjo nuk do të ndodhë sigurisht, nëse nuk do të shkohet te Kampionati Kombëtar i 14 ose 16 skuadrave dhe as nëse Kategoria II nuk do të bashkojë Gegninë dhe Toskninë në një grup të vetëm me nja 16 skuadra. Siç desh ta bënte FSHF qysh këtë sezon, por që nuk dihet se për çfarë shkaku i ndërroi mendja në çastin e fundit… Një Kampionat, siç e kemi thënë me kohë, që përveç të tjerave, do t’i jepte fund edhe ndarjes apo dasisë Gegë e Toskë veç e veç.

Dhe prapë i kthehemi temës sonë, që tashmâ u bë e vjetër dhe prej së cilës rilind përherë kjo retorikë që pyet:

Si ka guxuar Federata Shqiptare e Futbollit t’i përfshijë në të njëjtin grup gjithë protagonistët e historisë të Futbollit të Jugut të Shqipërisë, teksa me rregulloret e saj absurde nuk lejon më shumë se një skuadër prej tyre që të ngjitet në të famshmin Kampionat të vetëm 10 skuadrave?

Dhe si ka guxuar që në atë që po e quajmë Grupi i Veriut të Shqipërisë, i ka bërë Dinamos së Tiranës privilegjin gjeografik më të madh në histori, duke e vënë në Grupin e “Gegnisë” pa asnjë kundërshtar të mirënjohur, deri me Vorë, Orikum a Koplik, që jo larg kanë qenë jo qytete, por fshatra? Pa harruar as Partizanin B, i cili e ka të ndaluar të ngjitet në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Sidoqoftë, le të shpresojmë që të rikthehet Dinamo, sepse është histori e lavdishme e Kampionatit të Shqipërisë. Mirëpo, mund të ndodhë që të rikthehet Burreli, qytet gati i harruar në jetën e tij mëse modeste, i cili nuk besoj se ka gëzim tjetër përveç futbollit.

Po Vlora? Po Elbasani? Po Berati? Po Kavaja? Po Lushnja? Po Gjirokastra që nuk ekziston? Kur? Dhe do të jetë e tmerrshme po të bjerë edhe Skënderbeu i Korçës – 7 herë Kampion i Shqipërisë i viteve 2010, deri tash i fundit i Kampionatit Kombëtar. Me sa duket, do të ngjitet skuadra e Rrogozhinës dhe Grupi II i Kategorisë II atëherë do të përbëhej prej skuadrave të Korçës, Beratit, Kavajës, Lushnjës, Vlorës dhe Elbasanit! Shto këtu edhe Gjirokastrën, e cila ndoshta do të gjendet se në ç’vend “misterioz” është fshehur. Kjo është gjeopolitika e çmendur shqiptare e futbollit kombëtar!

Me këte organizim që doemos duhet quajtur joatdhetar, nuk dihet se kur do të mund të rikthehen, pra, këto skuadra të qyteteve më futbollistike të historisë së Shqipërisë. Unë e di se kur, megjithatë. Do të rikthehen vetëm kur Kampionati Kombëtar i Shqipërisë të ketë jo 10, por 14 ose 16 skuadra. E ky shtim duhet bërë jo mbas një viti, por qysh në stinën e vitit që vjen, pra atë 2021-‘22. Vonesa ua dhjetëfishon fajin kundërshqiptar drejtuesve të sotëm të tij. Shkoni te historia dhe do të shihni se sa të bukur kanë qenë Kampionatet e Shqipërisë me plot skuadra qytetesh, që kanë pasë 14, 16, madje dhe 18 skuadra. Por, për fat, e dimë se sot në FSHF nuk punon asnjë njohës i historisë e i arkivit të futbollit shqiptar. Duket që nuk lexojnë, nuk duan të dinë e të mësojnë. Vallë, a i kanë blerë nja 20 kopje të librit “Kohë ndryshimesh” të ish-sekretarit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Dervishi, sot drejtor në Federatën Spanjolle të Futbollit, që ka treguar se si u ndryshua drejtimi komunist i futbollit me këtë të Demokracisë. E, siç shkruan në parathënien e librit prof. Përparim Kabo, “fakti që ai ndërton një libër me kujtime tregon se atdheu është në zemrën e tij dhe se historia që jetoi dhe krijoi në Shqipërinë e tranzicionit, është në bibliotekën e kujtimeve të tij”.

E pra, janë libra që çdo punonjës i FSHF duhet t’i kenë në sirtarin personal të tryezës së tij të punës. Se sa për librat e mi historikë – madje deri te ky i fundit, “Shqipëria Europiane e Gianni de Biasit”, ku tregohet edhe suksesi i vetë kësaj FSHF të sotme – e di që nuk i blejnë. Ndoshta edhe ngaqë nuk kushtojnë fort lirë. Kujtojnë se historia shitet për pesë lekë! Për fat, i blejnë historianë të huaj, edhe pse janë në shqip, sepse e dinë që arkivi statistikor unikal në to, është universal për çdo gjuhë.

Nuk po vonoj. Kësaj here e kam fjalën për “skllevërit” e Federatës Shqiptare të Futbollit. Janë ata që heshtin. Ata që nuk bëzajnë. Ata që janë nënshtruar si asnjëherë tjetër në gjithë këtë histori. Ndonëse kohë më parë, përmes referendumit të “Panorama Sport”, mbi 30 trajnerë dhe presidentë të klubeve kërkuan zyrtarisht shtimin e skuadrave. Dhe deri sot e kësaj dite, drejtimi i FSHF, jo më që nuk ka filluar nga puna për riformimin urgjent të Kampionatit, por as nuk ka denjuar për të thënë qoftë dhe një fjalë të vetme në përgjigje të kësaj kërkese thuajse të një ushtrie trajnerësh. Dhe a dini pse e ka këtë guxim të një arrogance e diktati të pashembullt kundërdemokratik, si ta kishte Kampionatin e Shqipërisë të familjes së vet? Sepse zëri i “skllevërve” të tij apo të saj, sot kurrnjiherë nuk është dëgjuar.

Ta do mendja se Federata Shqiptare e Futbollit diku do të ketë marrë sigurinë që askush të mos mund të guxojë t’i kërkojë kësisoj llogari. As dashamirët e futbollit, as populli i Jugut të Shqipërisë, as qeveria e pasigurt shqiptare, as Ministria e nënshtruar që përgjigjet për sportin kombëtar. E doemos as dhe një pjesë e medias shqiptare.

Më ka bërë përshtypje këto ditë një emision televiziv për futbollin. Po ndodhte që e pakta nja katër burra në studio analizonin gati pa ndalë “fatkeqësinë” që kampionia në fuqi e Anglisë, Liverpool, kishte zbritur andej nga vendi i 7-të a i 8-të në Kampionatin e këtij shteti. Është fantastik ky shqetësim shqiptar, apo jo? Ngaqë dihet, pra, që Liverpool-i nuk është i Shqipërisë, por është i Anglisë. Në vend që çdo javë të sundojë shqetësimi se kur do të rikthehen në Kampionatin e Shqipërisë, që është Atdheu yt, Vlora e Elbasani, Gjirokastra e Berati, Kavaja e Lushnja! Një psikolog, teksa do të shtangej duke pa fytyrat e këtyre shqiptarëve të studios një seriozitet e gati-gati një dhimbje për Liverpool-in anglez, me siguri që do të frymëzohej për një studim mjaft interesant për këtë lloj ksenomania “sui generis” që po shkëlqen në mjedisin shqiptar të futbollit.

Por ka edhe më. Një e përditshme shqiptare, të nesërmen e dy ndeshjeve të Kampionatit, ato Vllaznia – KF Kukësi dhe Partizani – Skënderbeu, nuk kishte denjuar të botonte as edhe lajmin e shkurtër të dy rezultateve të këtyre dy ndeshjeve të rëndësishme shqiptare. Kësisoj, edhe pse kishte botuar një faqe sportive, por e cila e gjitha iu kushtohej futbollit të shteteve të tjera! Ndërkaq, provoni që një mbasdreke të kaloni nga njeri ekran televiziv shqiptar në tjetrin, e thuajse mbrenda një ore te të gjithë do të gjeni lajme pa asnjë rëndësi që pasqyrojnë deri episode krejt të rëndomta të ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera! Për të mos harruar një televizion kombëtar që në lajmet e tij qendrore të mbrëmjes – çka me sa duket e ka në rregulloren e tij – jep gati përnatë lajme nga Kampionati i Italisë, madje edhe për një ndeshje krejt të parëndësishme, deri dhe me intervistën e trajnerit të asaj skuadre!

E mandej, unë që lodhem e kërkoj të gjej Vlorën e Elbasanin, Beratin, Kavajën e Lushnjën. Se Gjirokastra nuk di se ku është, pra. Duket qartë se ajo që quhet AMA,ende nuk e ka të sajin detyrimin për mbrojtjen e hapësirës kombëtare të sportit në Shqipëri. Temë për një herë tjetër kjo…

Ndërkaq, ne më kot presim të shpërthejnë kritikat kundër kësaj situate të Futbollit të Jugut të Shqipërisë. Si të mos ishte çështja e jonë. Rëndësi ka Serie A, Bundesliga, Premiership, La Liga. Mos ka bërë gabim shteti shqiptar që ka lejuar këtë sundim televiziv kësisoj të papamë të kampionateve të shteteve të tjera? Pse jo!…

Nuk mund ta merrni me mend se sa kritika të forta kemi bërë për sportin e futbollin ne, gazetarët e vjetër gjatë regjimit komunist. Shkrimet janë aty e shkoni e i lexoni po të doni. Sa herë që botoheshin vërshonin kundërshtimet, kërcënimet, letrat anonime biografike e politike bashkë. Tifozë të sëmurë, madje të mveshur edhe me pushtet, ushtarakë prepotentë, drejtues, partizanë të vjetër të vetësigurt, oficerë të Sigurimit të Shtetit. Mos më besoni mua. Më e pakta shkoni e pyesni Ismet Bellovën e Ahmet Shqarrin, sa për të përmendur dy prej më të mirënjohurve të këtyre pasojave shqetësuese të asokohe. Ne nuk jemi ndalë. Sigurisht nuk na ka gjet gjë. Sepse dihej, na mbronin kryeredaktorët të cilëve sidoqoftë, Partia e asokohe iu besonte.

E sot? Le të shkatërrohet Futbolli i Jugut të Shqipërisë. Shqetësimi në Shqipëri është që Liverpool i Anglisë ka zbritë në vendin e tetë, jo në Kampionatin Shqiptar, por në atë të një shteti tjetër, që është Anglia.

Do të ishte një mrekulli që një njeri jo i redaksisë, por që shkruan rregullisht, një analist a komentator i përhershëm televiziv, të guxojë ndonjëherë të drejtojë një kritikë ndaj keqdrejtimit të organeve të futbollit për Kampionatin. Eh! Ndoshta iu duhet heqë e drejta publike e të shkruarit a të komentimit. Kjo në demokraci nuk mund të ndodhë, natyrisht. Mirëpo, si kujton ti, se populli televizionin e gazetën i kanë vetëm për të marrë ti honorarin e për t’iu servilosur kësisoj drejtimit futbollistik shqiptar? E nuk të del një fjalë goje për shkatërrimin e Futbollit të Jugut të Shqipërisë?

Dhe jo vetëm kaq. Është e jashtëzakonshme se si mund të ndodhë që vetë Vlora, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjirokastra, Lushnja, janë nënshtruar deri këtu e nuk bëzajnë as vetë ata.

Shkurt, me e thënë, edhe ata janë “skllevërit” e FSHF-së. Pra, të nënshtruar, me kryetarë bashkie, prefektë a s’di se çka, që ndoshta mendojnë se “më mirë që i kemi skuadrat në Kategorinë II, se harxhojmë më pak, se ka “qetësi” qyteti; e kemi probleme tjera si zgjedhjet apo partinë”. Pa për sa i përket dëshirës qytetare për t’u çlodhur sadopak edhe përmes futbollit kombëtar të rangut të parë, vedmevedi me siguri thonë se “kjo vërtet i përket jetës sociale e shpirtërore të njerëzve, por me të cilën, tash për tash, para problemeve që ka partia, po përtojmë të merremi”.

Dhe kështu, sa e vjen e shtohet larmia e “skllevërve” të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Dhe po aq të këtillë të nënshtruar, me komentatorë e analistë si dhe një pjesë bashkëpunëtorësh të përhershëm të gazetave që shkruajnë rregullisht, po guxoj të shkoj edhe aty ku gati duket e papranueshme. Dhe po shtoj se “skllevërit” e FSHF-së janë edhe nga ajo pjesë e Qeverisë që ka lejuar shkatërrimin e Futbollit të Jugut të Shqipërisë. Është edhe KOKSH. Është edhe Ministria përkatëse. Shpresoj të bindeni se “skllevërit” e FSHF-së janë, pra, të një larmie vërtet të admirueshme. Për çudi nuk po përfshij këtu Ligën Profesioniste Kombëtare të Futbollit, sepse ajo nuk ekziston. Ose nëse ekziston, atëherë ajo është personifikimi i “skllavërisë” edhe më sensacionale, e pse jo, edhe më joatdhetare ndaj FSHF-së.

Kaq kisha për të thënë kësaj here. Sigurisht prapë do të vazhdoj, gjithnjë me shpresën se do të arrihet te çlirimi i “skllevërve” të FSHF-së. Ndërkohë, që kam shpresë se e kuptoni që, e gjithë kjo problematikë, nuk është thjesht vetëm çështje futbolli. Është shumë më tepër se kaq…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"