“S’kishte sens sezoni pa pjesën kulmore”, rrëfehet kapiteni i Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2020 | 23:36

“S’kishte sens sezoni pa pjesën kulmore”, rrëfehet kapiteni i Apolonisë

Pritet të përcaktohet sot data e rifillimit të Kategorisë së Parë, pas takimit mes FSHF-së dhe klubeve. Pavarësisht datës fikse kur skuadrat do të zbresin në fushë, sinjali pozitiv që edhe futbolli shqiptar do rifillojë ka vënë në lëvizje klubet. Nga tapeti i gjelbër do të dalin edhe versionet përfundimtare të një sezoni kaq problematik. Edhe Apolonia mezi e pret sinjalin e ristartit.

ERJON SOTA

ELJON SOTA – Një nga modelet më të mira të akademisë së futbollit fierak vitet e fundit, Eljon Sota, do të përfshihej shpejt në skuadrën e parë. Këtë sezon është i vetmi që në 18 javë ka luajtur 1620 të plota, ka mbajtur shiritin e kapitenit dhe është bërë dhe pjesë e Kombëtares U-21. “E kemi vuajtur ndërprerjen e kampionatit, sepse mundësitë e stërvitjes kanë qenë të kufizuara, – thotë Sota.

– Ditët e fundit sikur na janë ‘çelur’ sytë. Kemi filluar stërvitjen në grupe me nga 5 lojtarë. Këta muaj na janë dukur një jetë dhe do jetë e vështirë të rikuperohen. Gjithsesi, do jemi gati. Rifillimi i kampionatit është çështje date, u zvarrit shumë vendimi, por më mirë vonë se kurrë. Do ta rinisim atje ku e lamë dhe kjo është ajo që i duhej futbollit shqiptar. Ndryshe s’mund të kuptohej një sezon ‘i kyçur’ në momentin më kulmor.

Apolonia do jetë gati për ta përballuar me sukses pjesën e mbetur. Shiriti i kapitenit? Nder dhe përgjegjësi për moshën që kam. Nuk jam egoist dhe as më komplekson shiriti. Në fushë jemi të gjithë grup, jemi Apolonia dhe jo individi. Kapitenit ‘Tao’ (Hysenshahajt) do t’i uroja gjithë të mirat në SHBA! Ka qenë një kapiten model, një ‘mësues’ i mirë për të gjithë. Do doja që Superioren ta festonim bashkë me të”.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"