Skicohet plani/ Dobi kërkon Kukës cinik ndaj “demave”, gati kurthi për Skukën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 23:22

Skicohet plani/ Dobi kërkon Kukës cinik ndaj “demave”, gati kurthi për Skukën

Kukësi po u jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Partizanin të hënën në “Kukës Arena”. Verilindorët duan patjetër kthesën në rezultate, edhe pse përballë kanë kryesuesit e kampionatit.

Dobi Kukesi

Një sipërmarrje e vështirë për të besuarit e Enkeleid Dobit, por kurrsesi nuk shihet si mision i pamundur. Edhe pse janë në skaje të ndryshme të renditjes, në Kukës janë të bindur se nuk bëhet fjalë për diferenca reale, sepse investimet e bluve kanë qenë të mëdha.

“KURTHI” – Gjatë këtyre ditëve, përveçse është marrë me njohjen e skuadrës, Dobi ka studiuar në detaje edhe kundërshtarin e radhës, Partizanin. Rreziku më i madh i “demave të kuq” është pikërisht sulmuesi Xhuljano Skuka, fakt që në Kukës e kanë të qartë. Për këtë arsye, Dobi ka kërkuar një markim special për sulmuesin, duke mos i dhënë mundësinë të shfaqë rrezikshmëri dhe ta largojnë sa më shumë nga topi.

Edhe pse nuk e preferon markimin një për një, për këtë rast mund të ketë një përjashtim, pasi rezultati është në plan të parë. Nëse mbrojtësit do të arrijnë të ndalin yllin e të kuqve, do të evitojnë rrezikun pas dhe do të jenë më të qetë për të parë përpara. Gjithsesi, se sa do të jenë në gjendje ta fusin në kurth 24-vjeçarin mbetet e gjitha për t’u parë kur ekipet të përballen në fushë të hënën.

Dobi trajneri i Kukesit

CINIZMI – Duke qenë se diferencat mes skuadrave nuk janë të mëdha, të paktën në letër, Kukësi shpreson që të ketë edhe episodet me vete. Pikërisht nga episodet mund të merren tri pikët. Dobi ua ka bërë të qartë lojtarëve që të tregohen sa më cinikë në fushën e lojës, sidomos sa u përket rasteve që do të kenë për të shënuar.

Tekniku kërkon të mos anashkalohet asnjë mundësi që do t’u vijë në këmbët e tyre, sepse vetëm kështu mund të fitohet ndeshja. Kundërsulmi është një tjetër armë që në Kukës shpresojnë ta aplikojnë, duke përfituar edhe nga lojtarët e shpejtë që kanë në skuadër, me të cilët Dobi ka punuar gjatë këtyre ditëve që ka marrë drejtimin e skuadrës. Nga ana tjetër, nuk janë lënë pas edhe skemat nga goditjet e ndaluara, pasi shihen si mundësi e mirë për të dërguar skuadrën te goli.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"