Skicohet Dinamo e re / Mesfusha si romb dhe 4 “të mbijetuar” nga Superiorja, ja si ndryshojnë blutë me Deden

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2022 | 11:58

Skicohet Dinamo e re / Mesfusha si romb dhe 4 “të mbijetuar” nga Superiorja, ja si ndryshojnë blutë me Deden

Pas disa javësh përgatitje dhe tetë ndeshjesh miqësore, me kundërshtarë nga të gjitha kategoritë, formacioni i Dinamos po merr formë. Trajneri Nevil Dede, me mënyrën si e ka rreshtuar skuadrën në ndeshjet e fundit, ka lënë të kuptohet se cilët do të jenë të preferuarit e tij për ta nisur nga minuta e parë, gjithmonë duke përjashtuar ndonjë goditje surprizë deri në nisjen e kampionatit. Trajneri kryeqytetas i bluve preferon skemën 4-3-3. Nga grupi i sezonit të kaluar janë vetëm 4 lojtarët “e mbijetuar”, nga një për çdo repart. Konkretisht janë portieri Edvan Bakaj, mbrojtësi Eni Imami, mesfushori Sabien Lilaj dhe sulmuesi brazilian Denison.

DINAMO

MBROJTJA – Përpara Bakajt, ‘veteranit’ të portës së Dinamos, pritet të rreshtohen Patrik Fetaj në të djathtë, Eni Imami dhe Dikson në qendër, si dhe Ilir Allmuça në të majtë. Janë tre lojtarë të afruar në merkato, Fetaj, Dikson dhe Allmuça që mendohen titullarë, të paktën për momentin. Alesio Mija, titullar me blutë në ndeshjet e fundit të sezonit që shkoi në Superiore, është aktivizuar si zëvendësues në miqësoret e deritanishme. Po ashtu, edhe Prodani e nis nga stoli.

MESFUSHA – Në këtë repart, Lilajt i bashkohen dy lojtarë me përvojë në Superiore, si Asion Daja dhe Ersil Ymeri, si dhe lezhjani Redon Danaj. Rreshtimi i këtyre katër lojtarëve është menduar të bëhet në formën e një rombi nga trajneri Dede. Kështu u pa në ndeshjen e fundit me Vllazninë. Lilaj pozicionohet përpara mbrojtjes, përpara tij Daja dhe Ymeri dhe akoma më përpara Danaj.

SULMI – Në repartin e avancuar është preferuar dyshja Taulant Marku-Denison. Marku është një sulmues me shumë përvojë dhe që ia di mirë “sekretet” Kategorisë së Parë, ndërsa Denison duket se ka gjetur formën dhe është shfaqur si golashënues në miqësore. Pozicioni i tij natyral është ai i sulmuesit të krahut të majtë. Me blutë është bashkuar së fundi edhe Rexhinaldo, që nuk ka formën e duhur fizike, pasi ka munguar për disa javë në stërvitje.

dinamo

STOLI – Rreshtimi i përmendur më sipër është ai që duket më i miri për momentin, por situatat edhe mund të ndryshojnë. Në një kampionat të gjatë një skuadër me pretendime madhore ka nevojë për sa më shumë lojtarë me kualitet. Për këtë arsye te blutë kanë menduar që të kenë edhe një stol të fortë. Kryeqytetasit kanë në stol aktualisht emra si Mija, Prodani, Bardhi, Rexhinaldo, Diogo, por edhe shumë të rinj premtues që pritet të ingranohen në skuadër gjatë sezonit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"