“Skënderbeut i duhet kohë”, Todor Vaso: Me Kukësin vlen edhe barazimi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 22:12

“Skënderbeut i duhet kohë”, Todor Vaso: Me Kukësin vlen edhe barazimi…

Skënderbeu pas fitores me Luftëtarin duket se është në një pozicion të qetë, pasi ndodhet në krye të renditjes. Por, ekipi duket se ka ende nevojë për të qenë në maksimumin e vet dhe për të ndjekur si duhet trajnerin Ilir Daja. I këtij mendimi është edhe ikona e klubit korçar dhe Kombëtares, Teodor Vaso.

Vaso2

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Vaso thekson se Skënderbeu duhet të rritet ende për të qenë nën urdhrat e plota të Dajës, teksa nga ana tjetër e quan përcaktuese ndeshjen e radhës ndaj Kukësit.

Profesor, një fitore me vuajtje e Skënderbeut në ndeshjen përballë Luftëtarit. Çfarë nuk shkoi që ekipi vuajti?

Në ndeshje të caktuara, specifika është e ndryshme dhe normale që mund të analizohet në bazë të asaj çka ekipi prodhon apo merr nga një takim. Pavarësisht se konstatimi juaj qëndron, që bardhekuqtë nuk zhvilluan një ndeshje të mirë në këtë takim, e rëndësishme është që kanë marrë tri pikët, si dhe për mënyrën se si po zhvillohet kampionati.

Ne nuk i jemi imponuar kundërshtarit dhe kjo qëndron, por duhet të kemi parasysh se edhe Luftëtari aplikonte një lojë ultradefensive, që e kishte mjaft të vështirë për të gjetur hapësira.

Trajneri Daja në fund të ndeshjes ka pasur kritika të rezervuara për lojtarë të caktuar…

Trajneri në gjykimin tim ka dashur të shkundë ekipin për t’i dhënë karikimin e duhur, aq më tepër që vjen pas një fitoreje dhe morali i ekipit është ndjeshëm më i mirë. Unë mendoj se Skënderbeu është ende një ekip në ndërtim e sipër, për shkak të mjaft problemeve.

Mungesat e Turtullit dhe Pollozhanit ishin mjaft të rëndësishme aq sa pamë që u detyrua të improvizonte në prapavijë. Problem mbetet fakti që edhe lojtarët e rinj, që mund të quhen të fituar, kanë ende nevojë për vijimësi dhe bashkëveprim me skuadrën. Kjo është ajo që unë them se do të duhet më shumë kohë që mekanizmat të funksionojnë ashtu si Daja i kërkon.

Është një ekip që ende nuk ka vijimësi, pasi nuk po gjen dot dy rezultate pozitive radhazi në ndeshjet e fundit. Pse ndodh kjo?

Kampionati, po ta shikojmë këtë vit, ka një vijimësi të çuditshme pasi ekipet edhe ato më pretendente nuk po arrijnë të mbajnë dot ecurinë e rezultateve pozitive. Kemi parë Partizanin që ngec pas derbit të fituar. Po ashtu, edhe Kukësin që ndodhet në një pozicion jo të mirë, për shpenzimet që ka. Skënderbeu ka 12 pikë dhe në kushtet kur vendi i parë ka të njëjtën kuotë pikësh, mund të themi se jemi mirë tani për tani. Por a ka vend për përmirësime, unë mendoj se ka shumë.

Dëmtimi i Muzakës sa e penalizon ekipin në vijimësi të sezonit?

Muzaka mbetet një nga pikat e forta të Skënderbeut, një lojtar që për shkak të eksperiencës garanton edhe cilësi në fushë, por edhe zgjidhje në momente të veçanta. Të shpresojmë që rikuperimi i tij të zgjasë sa më pak kohë se sa është folur, pasi është me të vërtetë një humbje e madhe për trajnerin Daja dhe Skënderbeun.

Java e ardhshme luhet ndaj Kukësit, sa e vështirë do të jetë?

Kukësi vjen në Korçë dhe me një gjendje psikologjike jo të mirë. Ne do të duhet të shfrytëzojmë pikërisht faktorin fushë që të mund të marrim pikë përballë Kukësit. Duhet ta pranojmë, se për shkak të investimeve në këtë sezon, ekipi i Kukësit mund të themi se është një nga më të fortët për momentin. Të shpresojmë që Skënderbeu të jetë në një ditë të mirë në këtë takim dhe të marrë maksimumin nga lojtarët. Për mendimin tim edhe pika përballë tyre do të ishte pozitive.

Gjendja në të cilën ndodhet Kukësi pas humbjeve cilën favorizon më shumë?

Kjo është një thikë me dy presa. Nëse lojtarët nuk e mbledhin situatën, atëherë është në favor të Skënderbeut. Por, ka momente kur forca e reagimit pas disa humbjesh bëhet më e madhe dhe kjo në përgjithësi është një virtyt i ekipeve të forta.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"