Skënderbeu vuan në sulm, “ngec” në miqësoren me Pelisterin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2016 | 10:38

Skënderbeu vuan në sulm, “ngec” në miqësoren me Pelisterin

Skënderbeu barazon ndaj kryesuesve të superligës maqedonase. Miqësorja kundër Pelister Bitolas u mbyll në shifrat e bardha 0-0. Reshjet e shiut u bënë pengesë për korçarët, ndërsa terreni ka qenë vërtet i rënduar.

skenderbeu-pelister

Pavarësisht se mungoi goli, Agostineli është shprehur i kënaqur në fundin e takimit nga loja e të tijve. Gjithsesi, me kaq shumë sulmues në dispozicion, rezultati duhet të bënte goleadë, megjithatë u pa qartë se sulmi po çalon.

Ndeshja

Me startin e testit të djeshëm miqësor duhet theksuar se trajneri Andrea Agostineli kishte zgjedhur të rreshtonte në fushë skuadrën e tij me skemën 4-3-2-1.

Risia ka qenë se italiani i Skënderbeut kishte ulur në stol Lilajn dhe Serxhion, ndërkohë që kishte provuar nga fillimi Malajn e Mustafën në formacion, duke shtuar Xhejmsin e Karimin si dy lojtarët e krahëve që ndihmonin Salihin në majë të sulmit.

Zbritjen e parë dhe të vetme të këtij takimi e bëjnë miqtë, ku në minutën e 22-të është Markovski që provon të befasojë Llapanjin me një gjuajtje nga 40 metra, por pret portieri korçar. Për Skënderbeun, loja është e përqendruar më shumë në mesin e fushës. Në të 32-ën minutë, Radas në një goditje dënimi provon nga largësia, por grushton portieri maqedonas Petrovski.

skenderbeu-pelister1

Sulmi i Skënderbeut vuan, kjo pasi mesi i fushës nuk ishte në ditën e vet më të mirë. Në të 39-ën minutë është Xhejms që shërben për Salihin dhe ky i fundit kërkon ta çojë topin në kuadrat, por gjuajtja e tij devijohet për në këndore. Pjesa e dytë rinis me ndërrime në të dy kampet.

skënderbeu-pelisterNë minutën e 50-të është kosovari Agim Zeka që me një gjuajtje nga jashtë zone e dërgon topin pranë shtyllës së majtë pingule të miqve. Tri minuta më vonë kemi një kombinim të bukur të Serxhios dhe Gavazaj, por ky i fundit brenda zonës me një të majtë të fuqishme nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.

Vetëm 60 sekonda më vonë është po Serxhio që kalon dy mbrojtës, por përsëri nuk shënon. E 68-ta minutë do të sillte një tjetër rast për Skënderbeun, ku Gavazaj këtë herë shërben për Zekën që gjuan duke e dërguar topin jashtë kuadratit.

Plaku dhe Abazi, të dy protagonistë në minutën e 78-të, por në fund vetëm këndore, ndërkohë që krejt takimi do të mbyllej me një rast po për Skënderbeun në minutën e 85- të. Këtë herë Plaku me një të djathtë të fuqishme e nxjerr topin jashtë kuadratit dhe në këtë mënyrë gjithçka mbyllet me barazim pa gola.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"