Skënderbeu/ Vendimi i UEFA-s mban pezull edhe rinovimet e kontratave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2016 | 16:43

Skënderbeu/ Vendimi i UEFA-s mban pezull edhe rinovimet e kontratave

Çështja e hetimit të UEFA-s duket se e ka lënë disi pas dore merkaton në kampin bardhekuq, që për momentin ka ngrirë të gjitha tratativat e mundshme për rinovimin me grupin aktual, që pritet të qëndrojë në Korçë. skenderbeuGjithashtu janë “ngrirë” edhe bisedimet me lojtarët e rinj që pritet t’i shtohen Skënderbeut në prag të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Të ndodhur në një situatë të tillë ankthi, detyrimisht që gjëja e fundit që mund të mendojnë drejtuesit e Skënderbeut është merkatoja.

Gjithsesi, piketat e sezonit të ri drejtuesit e klubit i kanë shumë kohë më parë, kështu që nuk janë shumë të papërgatitur për sa u përket përforcimeve të mundshme. Por situatën e krijuar po mundohen që ta shfrytëzojnë rivalët, të cilët kanë nisur të fërkojnë duart, pasi duan që të rrëmbejnë yjet e skuadrës korçare. Sinjalet e para për këto lëvizje të rivalëve vijnë nga vetë lojtarët, të cilët kanë pohuar se po kontaktohen nga klube të ndryshme.

Një gjë të tillë një ditë më parë e pranoi mbrojtësi kroat Marko Radas, ku Partizani është munduar që ta joshë. Gjithsesi lojtarët vijojnë të shfaqin shenja besnikërie ndaj Skënderbeut dhe qytetit të Korçës. Pra, Skënderbeu i sezonit të ri varet nga vendimi që do të japë UEFA më datën 1 qershor, pasi ndaj juglindorëve janë hapur hetime për ndeshje të trukuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"