Skënderbeu vazhdon merkaton, 60 mijë euro për Gripshin e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2017 | 9:15

Skënderbeu vazhdon merkaton, 60 mijë euro për Gripshin e Teutës

Klubi i Skënderbeut nuk e ka mbyllur ende merkaton e janarit. Korçarët kanë kryer ditën e sotme lëvizjen e tyre më të fundit teksa kanë përforcuar skuadrën me shërbimet e mesfushorit të Teutës, Nazmi Gripshi.

GRIPSHI

19-vjeçari i talentuar i durrsakëve duket se ka treguar mjaftueshëm cilësi me paraqitjet e tij në 14 ndeshje të Superiores gjatë këtij sezoni për të bindur drejtuesit e Skënderbeut. Korçarët kanë paguar plot 60 mijë euro në arkën e Teutës për shërbimet e tij, ndërkohë që durrsakët do të mbeten zotërues të 30% të kartonit të futbollistit.

Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, e ka konfirmuar lajmin ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

“Po, është e vërtetë që Gripshin vendosëm ta shesim për një të ardhme më të mirë të lojtarit dhe për interesa të klubit. Pas kërkesës që pata nga dy menaxherë të njohur që kanë pasur sukses në transferimet e lojtarëve, pikërisht Shkumbin Qorrmemeti dhe Haris Fakiç, ramë dakord që kompania e menaxhimit që këta të fundit drejtojnë të paguajnë 60 mijë euro për kartonin.

Gjithashtu, në rast të një shitjeje në vazhdimësi të Gripshit drejt një ekipi tjetër, klubi ynë do të ketë 30% të kartonit. Këto 4 muaj lojtari i talentuar do të jetë pjesë e Skënderbeut dhe më pas menaxherët që blenë kartonin do të punojnë për ta transferuar në një ekip jashtë Shqipërisë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"