Skënderbeu u jep 2 rroga lojtarëve pas bojkotit, vijnë edhe paratë e Olainkës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 23:09

Skënderbeu u jep 2 rroga lojtarëve pas bojkotit, vijnë edhe paratë e Olainkës

Rikthehet qetësia në Korçë. Pas dy ditësh pritjeje dhe bojkotit të seancës së të hënës, Skënderbeu shlyen dy prej tri pagave të prapambetura për lojtarët.

takaj

Një gjë e tillë bëhet me dije nga burime tepër kofidenciale pranë klubit për gazetën, që theksojnë se ditën e djeshme kanë kaluar në llogaritë bankare të çdo futbollisti nga dy paga. Në të tilla kushte, tashmë Skënderbeu i kthehet korrektësisë financiare.  Po të njëjtat burime konfirmuan gjithashtu se lajmi i dhënë nga “Panorama Sport” për ardhjen e shumës së transferimit të Peter Olainkës nga klubi belg i Gent ishte më se i vërtetë. Vetëm gjatë paradites së të mërkurës, në arkat e klubit janë derdhur të gjitha detyrimet mbi 20% e vlerës së kartonit për rishitjen e sulmuesit nigerianin drejt Slavias së Pragës.

Skenderbeu

Me dhënien e rrogave dhe lëvrimit të parave të Olainkës, duhet thënë që situata te bardhekuqtë ka fituar harmoninë dhe janë gati për të luajtur javën e fundit të fazës së parë. Problemet Një dëmtim shqetëson Orges Shehin në prag të ndeshjes  me Kamzën. Bëhet fjalë pikërisht për Blerim Krasniqin, i cili ka shfaqur probleme muskulore dhe po stërvitet i veçuar nga grupi. Me shumë mundësi, sulmuesi do të jetë një mungesë për Skënderbeun në takimin e së dielës.

skenderbeu-shehi-470x313

Ky dëmtim duket se ndryshon totalisht planet e Orges Shehit për të përgatitur formacionin. Stafi mjekësor është duke bërë të pamundurën që lojtari të jetë nën urdhrat e Shehit, të paktën të rikuperohet deri të shtunën dhe më pas i mbetet trajneri vendimi final. Në kushtet që ai nuk po merr ngarkesë të plotë prej ditësh, shanset janë më të mëdha që ai të mos sakrifikohet për këtë javë. Pra, mund të lihet pushim, derisa forma e tij nuk jep garanci. Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia që lojtari të jetë pjesë e 18-shes.

Dilemat

Në mungesë të Blerim Krasniqit, deri ditën e djeshme trajneri u pa i vendosur që të luajë me Oto Xhon nga minuta e parë, duke i dhënë fanellën e titullarit për këtë ndeshje. Por, kjo nuk do të thotë që nuk ka dilema, pasi ekziston si mundësi që në “majë” të aktivizohet edhe Ardit Hoxhaj, i cili po gëzon një formë të mirë dhe është gjithnjë e më shumë faktor në golat e shënuar për Skënderbeun.

Dhe nëse vlonjati do të jetë në 11-she, atëherë do të ketë lëvizje sa i përket rreshtimit të korçarëve në fushë. Me Oto Xhonin, mënyra e lojës dhe vendosjes së ekipit në fushë do të jetë e njëjta, ndërsa me Hoxhajn, bardhekuqtë do të shfaqen pa një sulmues të deklaruar, pra me një “9” fals në ofensivë.

Skenderbeu

Pjesa tjetër e ekipit në të dyja variantet mbetet e pandryshuar, teksa nga porta e nis Teqja, ndërsa në mbrojtje janë Vangjeli dhe Abazi në krahë, Radas dhe Aliti në qendër të mbrojtjes. Në mesin e fushës priten Dita, Muzaka dhe Demte, ndërsa Bregu dhe Gripshi do t’i bëjnë shoqëri njërit mes Hoxhajt dhe Oto Xhonit në majën e sulmit. Kjo pak a shumë është situata e Skënderbeut në prag të ndeshjes me Kamzën.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"