Skënderbeu-Tirana, ja vlerësimet për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2016 | 9:52

Skënderbeu-Tirana, ja vlerësimet për lojtarët

salihi gol penallti ndaj tiranesSKËNDERBEU, ja vlerësimet për bardhekuqtë

SHEHI 7 – Më i miri i ndeshjes. I vëmendshëm te gjuajtja e Gilman Likës, por edhe në raste të tjera. Vuajti më shumë nga sa duhet përballë një rivali që në fushë nuk kishte asnjë sulmues të mirëfilltë dhe kjo jo për faj të tij…

VANGJELI 5 – Vuan në duelet me Likën dhe është më i ashpër se zakonisht në zonën e rreptësisë. Shkaktoi penallti në dëm të Gilman Likës, por gjyqtari e fali. Nëse do akordohej 11-metërsh, do linte edhe fushën e lojës për kartonin e dytë të verdhë…

JASHANICA 5,5 -Fukuji e çorienton, sepse japonezi nuk i jep asnjë pikë referimi. Ka shumë pak punë në duelet në ajër, por kur Tirana afrohet me shumë forca pranë zonës, e ka të vështirë të orientojë prapavijën pa Radasin në krah.

OSMANI 5,5 – Shumë të ngjashëm me Jashanicën, edhe pse korçari luan më mirë me topin tokazi dhe është më pak emocional se Jashanica kur rivali sulmon. I fortë në ajër, por nuk arrin të kuptohet si duhet në disa raste me Jashanicën dhe Arapin.

ARAPI 5 – Nëse Skënderbeu nuk shtyn nga krahu i majtë, kjo vjen edhe sepse Latifi mbështetet pak nga durrsaku. I ashpër në mbrojtje dhe fokusohet tërësisht në fazën defensive, duke qenë praktikisht inekzistent në fazën ofensive.

PROGNI 6 – Një pjesë e parë e mirë, por në të dytën bie ndjeshëm. Mungojnë improvizimet dhe kombinimet e duhura me sulmuesit. Në pjesën e dytë bie ndjeshëm. (Renatinjo 5 – Nuk duket lojtari që mund të bëjë diferencën. U fut për t’i dhënë freski sulmit, por nuk la asnjë shenjë).

LILAJ 7 – Dakord, pasin final duhet ta përmirësojë, por për të tjerat është i jashtëzakonshëm. Shkatërron, ndërton, vjedh topa dhe vrapon sa për tre. Së bashku me Salihin që nuk e humb asnjëherë toruan, ishte më i qarti dhe më efikasi në fushë.

NIMAGA 5 – Asfiksohet nga mesfusha e dendur dhe agresive e Tiranës. Përpiqet të lidhë sa të mundet sulmin me mesfushën, por pa sukses. Bie në pjesën e dytë.

LATIFI 5,5 – Nuk e bën dot Berishën dhe as nuk ka pse sforcohet ta realizojë këtë. Ka stilin e tij, shumë klas, por i duhet pak më shumë thjeshtësi. Pak agresiv kur nuk e ka topin dhe i lexueshëm kur e zotëron atë. Por nëse bëhet ai i lexueshëm, atëherë Skënderbeu do vuajë, ashtu si edhe dje…

XHEJMS 5,5 – Vrapon shumë dhe është ndoshta më altruisti në ofensivën e Skënderbeut. Dje nuk mori asnjë pasim për gol dhe dukej disi i aneksuar nga pjesa tjetër e skuadrës. Pak i shërbyer dhe pak i furnizuar me topa në zonë. Shumë larg ditëve të shkëlqyera.

SALIHI 7,5 – Në futboll shpesh thuhet se ka dy lloje sulmuesish: ata që e “shpikin” golin dhe ata që “lindin” me golin. Salihi bën përjashtim sepse i ka të dyja. Siguroi një penallti prej eksperti kundrejt një Hoxhallari naiv dhe më pas vulosi ndeshjen me një parabël “alla Toti”. 19 gola dhe të gjithë të rëndësishëm. Ky është i vetmi bomber që ka sot Superiorja. Të tjerët janë thjesht ndjekës…

JOSA 6 – Me Tiranën “e tij” nuk e ka asnjëherë të lehtë. Skënderbeu vuan shumë kur kundërshtarët nuk i lënë pika referimi. E çuditshme zgjedhja për të futur një sulmues të dytë si Renatinjo (në vend të Prognit), ndërkohë që Tirana i kishte marrë mesfushën dhe Skënderbeu kishte probleme…

TIRANA, ja vlerësimet për bardheblutë

ED.BAKAJ 6,5 – Asnjë gabim gjatë ndeshjes dhe shpëtoi Tiranën mrekullisht në minutën e 5-të kur Salihi gjuajti me kokë brenda zonës. Ka fituar siguri dhe bën gjithnjë zgjedhjen më të sigurt. Me ca centimetra më shumë, do bënte repart më vete…

KËRÇIKU 6 – 20 minutat e para nuk është kurrkund dhe nis të bëhet nervoz. Për fat, Skënderbeu ul disi ritmin dhe ai nis të mbrojë dhe të sulmojë mirë. Nuk është ende në formën e duhur. Asnjë krosim për të qenë, por në fazën mbrojtëse ia del mirë.

KARAN 6 – Ndeshje e mirë për serbin. I vëmendshëm dhe arrin të mbajë i vetëm peshën e mbrojtjes, ndonëse përballë ka dy goleadorë kalibri si Salihi dhe Xhejms.

TEQJA 6 – E fitoi duelin me Salihin, edhe pse iu desh një “dush” nga Daja pak pasi kishte filluar ndeshja. Shkodrani nisi t’i përvidhej si hije pas krahëve, por më pas mesfushori i spostuar në mbrojtje arrin të ngrihet në nivelin e ndeshjes dhe nuk lejon më asnjë hapësirë.

HOXHALLARI 4,5 – Rrëmbehet nga ritmi i ndeshjes dhe në minutat e fundit luan me zemër jo me tru. Dhe e pëson… Mori dy të verdhë pak ditë më parë në Kupë, ndërsa dje shkaktoi një penallti që vendosi ndeshjen. Pak efikas në fazën sulmuese. Duhet të korrigjojë shumë gjëra.

MUZAKA 6 – Arapi nuk është kundërshtar komod, por gjithsesi ai ia del mirë. Jep një pasim të shkëlqyer për Likën dhe më pas është rrezik konstant në krahun e tij. I shpejtë dhe shpeshherë depërton në qendër duke prishur të gjitha “skemat” e korçarëve. Por nuk ka një Salihi që asistet t’ia shpërblejë me gola…

KARABECI 6,5 – Gjigant në pjesën e parë. Nuk bie shumë në sy, por vrapoi sa për tre dhe mbajti skuadrën të karikuar pikërisht atëherë kur ajo po vuante më shumë. Në pjesën e dytë gjërat bëhen disi më të lehta, sepse Malaj me Gërçaliu bëhen më bashkëpunues.

MALAJ 5,5 – Start i dobët. Nuk arrin as të mbrojë dhe as të pasojë. Shpeshherë përplaset me Kërçikun dhe Karabecin. I duhen disa minuta për të kuptuar se çfarë misioni ka aty në mesfushë. Më pas është gjithnjë në rritje.

GËRÇALIU 6 – Agresiv në mbrojtje dhe shtyn mirë në sulm duke i dhënë mundësi Gilman Likës që të veprojë lirshëm dhe i mbështetur sa duhet në afërsi të zonës së Skënderbeut. Mori një të verdhë që nuk e meritonte.

GILMAN LIKA 6,5 – Ka bërë “sherr” me golin se ndryshe nuk shpjegohet që me gjithë tentativat e panumërta në disa ndeshje nuk arrin të shënojë. Nuk i japin penallti as kur e meriton. Gjithsesi një ndeshje shumë e mirë e shkodranit. I pafat.

FUKUJI 6,5 – Një “xhol” i shkëlqyer. Nuk jep asnjëherë pika referimi, sulmon dhe mbron me të njëjtin efikasitet dhe shërben sa herë që mundet. Fizikisht i shkëlqyer dhe me një sulmues të mirëfilltë në krah, do ta kishte bërë Tiranën më të lumtur gjatë këtij sezoni. I palodhur.

DAJA 6,5 – Pa Bakajn, pa Muçën, pa Smajlin, por Tirana ishte duke marrë një rezultat pozitiv në Korçë. Ekipi i tij vuan në pjesën e parë, por në të dytën i vë në vështirësi kampionët. Ekipi i tij është solid dhe cinik, por Daja nuk mund të shpikë një bomber që ta çojë topin në rrjetë. Nuk mundet as të bindë gjyqtarin Koçi të japë 11-metërsh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"