Skënderbeu, si Tirana e donatorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2012 | 16:00

Skënderbeu, si Tirana e donatorëve

Nga YLLI AGA
Në historinë e kampionateve të pas viteve ’90 janë të shumta modelet e skuadrave, të cilat arritën të fitonin trofe dhe të ndërtonin cikle. Ndër to dallon lehtësisht Tirana e donatorëve Halili, Ngjela, Nuri dhe Papuli, e cila me iniciativën e ish-kryetarit të bashkisë, në harkun e një katërvjeçari arriti t’i imponohej futbollit tonë me dy tituj kampion dhe një kupë, por edhe prezantime dinjitoze në kontinent. Të gjithë mund ta kujtojnë periudhën e fillimit të tyre, kur në skuadër u afruan futbollistët më të mirë, duke i dubluar pothuajse të gjitha pozicionet dhe falë këtij rivaliteti, jo vetëm rriti cilësinë e ekipit, por dobësoi edhe kundërshtarët. Veçanërisht, sezoni 2004-05 ishte një model i shkëlqyer për mënyrën e investimit dhe organizimit të klubit. Megjithatë, “xhelozitë” brenda llojit sollën disa vendimmarrje të nxituara, që patën kosto për skuadrën. Për ta ilustruar mund të kujtojmë ndryshimet e shpeshta të trajnerëve dhe largimin e disa futbollistëve. Këto marrëdhënie kulmuan me debatet për drejtimin e klubit, largimin e tre donatorëve dhe nisjen e një cikli të ri nën drejtimin e presidentit Halili. Pas një viti të parë të shkëlqyer, konkurrenca e klubeve të tjera solli humbjen e dominimit në merkaton e futbollistëve dhe rrjedhimisht edhe pretendimet nuk mund të ishin të njëjta. Kthimi i detyruar i klubit në sh.a. zyrtarizoi edhe mbylljen e një epoke…
Modeli i kopjuar nga korçarët
Deri në janarin e vitit 2010, Skënderbeu ishte një skuadër që endej mes dy kategorive dhe pavarësisht disa iniciativave, nuk kishte arritur asnjëherë të bëhej faktor në futbollit tonë, edhe për shkak të disa padrejtësive të bëra ndaj këtij klubi. Në atë periudhë u desh një iniciativë e ministrit të Financave, për të afruar pranë skuadrës një numër të konsiderueshëm biznesmenësh, nga më të njohurit në vend, që falë një investimi të jashtëzakonshëm, aleancave të fshehura dhe të hapura, arriti të siguronte mbijetesën në sezonin më të çuditshëm të kampionateve tona. Qëndrimi në elitë, financat e shëndosha, mbështetja e jashtëzakonshme e një qyteti të tërë dhe aleancat e duhura startuan një cikël të ri të futbollit tonë, që sollën si rrjedhojë dy tituj kampion radhazi dhe pothuajse kanë hipotekuar një të tretë. Megjithatë, ngjarjet e fundit mund të ngrenë lehtësisht disa pikëpyetje për të ardhmen e këtij klubi. Të gjithë jemi dëshmitarë, se shumë nga biznesmenët që iu bashkuan iniciativës për ringritjen e Skënderbeut e kanë braktisur atë. Ish-presidenti Agim Zeqo, por jo më donator i saj. Përjashtimi edhe i zv.presidentit Kollçaku ia ka lënë të gjitha faturat presidentit Ardjan Takaj. Nuk dihet sa do të vazhdojë qetësia dhe siguria te kampionët, duke pasur parasysh situatën e trazuar ekonomike, por nisur edhe nga rasti i Tiranës së donatorëve, askush nuk do të guxonte t’i vinte duart në zjarr për jetëgjatësinë e suksesit. Do të ishte e pandershme të paragjykohej ecuria e një skuadre, në këtë rast e Skënderbeut, por duke qenë pjesëmarrëse në një garë, ku është e pamundur të realizosh një bilanc pozitiv dhe ku tendenca është shtimi i aksionareve apo anëtarëve të një shoqate sportive, statusi i dominuesit në futbollin tonë nga korçarët duket seriozisht i kërcënuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"