Skënderbeu “shtanget” nga Struga, skuadra e Ilir Dajës shpërdoron pa fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 10:49

Skënderbeu “shtanget” nga Struga, skuadra e Ilir Dajës shpërdoron pa fund

Skënderbeu barazon me Strugën. Miqësor ja e luajtur dje në Korçë është mbyllur në shifra 2- 2. Ka qenë një duel i bukur dhe me shumë raste për shënim, por në fund askush nuk ka festuar. Ky test i organizuar për të provuar të gjithë kontingjentin që bardhekuqtë kanë në organikë, i ka shërbyer ndjeshëm Ilir Dajës. Ai u dha hapësirë të gjithëve, përfshi këtu edhe elementëve të afruar nga ekipi U-19.

skenderbeu

PJESA E PARË

Ndeshja nisi me ritëm. Skënderbeu krijoi rastin e parë pa kaluar shumë minuta, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Oto Xhonit. Sulmuesi pati shansin që të zhbllokonte shifrat, por gaboi në finalizim. Vendësit fitojnë terren dhe mundohen që të shtyjnë lart, duke mbajtur nën tension mbrojtjen kundërshtare. E megjithatë, kjo nuk u mjaftoi korçarëve, pasi ishin miqtë nga Maqedonia e Veriut ata që befasuan. Ishte e 18-ta minutë, kur kaluan në avantazh.

Një pasim i saktë i Lenës nxjerr të lirë brenda në zonë Kirkovskin, që përballë Koliçit nuk fal dhe çon shifrat në 0-1. Skuadra e Dajës nuk e pranon humbjen, ndaj ushtron edhe më shumë presing. Rastet pasojnë njëratjetrën, por vetëm 8 minuta më pas vendosin baraspeshën. Ishte e 26-ta minutë kur bardhekuqtë ndërtojnë një aksion tejet të bukur dhe Blerim Krasniqi e shfrytëzon më së miri, duke e dërguar “sferën” në rrjetë. Rezultati është 1-1 dhe Skënderbeu vijon të diktojë lojën me rastet e krijuara, e megjithatë finalizimi nuk është i duhuri. Dhe rregulli i pashkruar i futbollit i ndëshkon. Ishte e 35-ta minutë, kur Struga gjen sërish avantazhin. Këtë herë është Sheji, i cili me kokë mposht portierin Koliçi për herën e dytë. Përtej 10 minutave të mbetura nga kjo pjesë, janë miqtë që futen në dhomat e zhveshjes me fitore.

SKENDERBEU

PJESA E DYTË

Pjesa e dytë karakterizohet nga zëvendësime të shumta prej të dyja ekipeve, që hedhin në fushë gati-gati një formacion të ribërë, e sidomos Skënderbeu. Loja tani duket se ndryshon krah, pasi Struga është më aktive në zonën e Skënderbeut dhe nëse rezultati mbetet i pandryshuar, është për meritën e Dajsinanit të futur nga stoli, që shpëton ekipin në 3-4 episode të pastra për gol. Korçarët mundohen që të shfrytëzojnë shpejtësinë e sulmuesve për të gjetur golin e barazimit.

Gjithsesi, në minutën e 70-të, rastin më të mirë e kanë sërish miqtë, që pas një ngatërrese në zonë arrijnë të gjuajnë, por Dajsinani tregon edhe një herë se është i pakalueshëm. Kur ndeshja po i afrohej fundit, është Skënderbeu që vendos në baraspeshë këtë takim. Becka, i riu i U-19 së bardhekuqve, merr një top në diagonal dhe hyn bukur në zonë. Pasi sheh gjen të lirë Esienin, i pason dhe lojtari nuk mendohet dy herë dhe e gjuan duke e dërguar topin në cepin e portës, atje ku portieri i struganëve e ka të pamundur të arrijë. 2-2 dhe përfundimisht baraspesha mbyll këtë takim në Korçë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"