“Skënderbeu shkon për maksimumin në Shkodër”, flet kapiteni Meksi: Mbijetesën e arrijmë edhe pa “play-out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 14:45

“Skënderbeu shkon për maksimumin në Shkodër”, flet kapiteni Meksi: Mbijetesën e arrijmë edhe pa “play-out”

“Barazimi na bën punë në një transfertë të vështirë si ajo e Shkodrës përballë Vllaznisë. Gjithsesi, do të shkojmë atje për të marrë maksimumin nga ky takim”. Kështu u shpreh kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka analizuar ndeshjen e humbur ndaj Teutës duke u shprehur se kjo ka qenë një sfidë që nuk meritonte të mbyllej në atë mënyrë. Më tej ai ka argumentuar se përse beson se ekipi i tij mund të marrë pikë në transfertën e Shkodrës. Për të forma që po kalon ekipi dhe besimi i rikthyer tek aftësitë e grupit janë çelësi i suksesit ku Skënderbeu duhet të mbështetet në 8 javët e mbetura.

Meksi

“Vijmë nga një humbje, që në gjykimin tim ka qenë e pamerituar. Këtë e them nga loja dhe volumi i saj që të dyja ekipet treguan në këtë takim. Ka qenë një ndeshje totalisht e balancuar dhe nuk shoh asnjë ‘çalim’ nga ana jonë për të nxjerrë një rezultat si ai që doli nga ky takim. Ndeshja u vendos nga një episode, prandaj kjo na jep një mësim të mirë. Duhet që të jemi të përqendruar në çdo moment për të mos i dhënë shanse kundërshtarit për të na ndëshkuar në një ndeshje, aq më tepër tani që jemi në fund të kampionatit dhe çdo takim vlen shumë. Një finale e radhës na pret në Shkodër dhe me bindje e them se do të bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin. Ia kemi dalë në ndeshje të tilla delikate dhe, pse jo, të mos e përsërisim edhe në këtë takim përballë Vllaznisë. Për të qenë realist, është një përballje e vështirë dhe duhet përqendrim maksimal. Edhe një barazim mund të na shkonte për shtat, pasi është një ndeshje ku dy ekipe që kanë objektiva të kundërt përplasen me njëri-tjetrin”, theksoi fillimisht Meksi.

Meksi5

MBIJETESA – Më tej, kapiteni i korçarëve u shpreh i bindur duke përsëritur edhe një herë se nuk do të jete Skënderbeu ai që do të bjerë nga kategoria këtë sezon, po ka mundësinë që të arrijë mbijetesën edhe pa qenë nevoja që të luajë fazën “play out”, pasi matematika e lejon një gjë të tillë. “Unë jam shprehur një herë për këtë çështje dhe e them me bindje se do të jemi të sigurt që e arrijmë mbijetesën. Nuk jemi ne ekipi që do të bjerë në kategorinë më poshtë, pasi nuk i shkon për shtat kësaj fanelle. Unë e shoh si mundësi reale që të arrijmë sigurimin e mbijetesës edhe përmes qëndrimit direkt. Këtë e them edhe për vetë faktin se kundërshtarët tanë janë atje me pikë dhe matematika na lejon ta synojmë edhe atë pozicion”, përfundoi kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"