Skënderbeu “sakatohet” para Lushnjës, 6 mungesa të sigurta për korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 10:45

Skënderbeu “sakatohet” para Lushnjës, 6 mungesa të sigurta për korçarët

Vështirësohet rruga drejt titullit kampion për Skënderbeun. Shkoi si shkoi ndeshja në shtëpi me Besën, korçarët duket se do të vuajnë edhe me Lushnjën. Drejt kësaj transferte udhëtojnë “të sakatuar”. Nuk janë pak, por 6 mungesa të sigurta për Ivan Gvozdenoviçin. Edhe pse trajneri e ka kërkuar me forcë një trofe në mbyllje të këtij sezoni, situata nuk është fort optimistë.

skenderbeu

Nëse për Dean Liçon dihej që nuk do të luante, pasi mori një karton të kuq kundër kavajasve, listës i shtohet edhe një “mal” me mungesa. Dhe jo një dosido, por lojtarë me peshë të formacionit.

Dita e fundit e përgatitjeve ka bërë me dhimbje koke trajnerin. Shkëlzen Ruçi i shtohet listës. Portieri e humb javën e fundit të këtij kampionati, pasi ka plotësuar numrin 4 të kartonëve.

Elbasanasi nuk diti të menaxhojë të verdhë të grumbulluar gjatë sezonit dhe ndëshkimi që mori me kavajasit do t’u kushtojë shumë atij dhe bardhekuqve. Në kësi kushtesh, katërkëndorin do ta mbrojë Herdi Alliu nga fillimloja në “Roza Haxhiu”. Për të vijuar me prapavijën, ka deficite edhe në mbrojtje.

Randi Dumfur dhe Dritmir Beci gjithashtu janë të padisponueshëm. Të dy lojtarët kanë ndier shqetësime në seancën e fundit dhe për pasojë mbeten jashtë.

“Out” është edhe një tjetër futbollist i rëndësishëm i këtij reparti. Jemi duke folur për Hektor Idrizajn, anësori që ka spikatur këtë edicion. Vlonjati është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë në urdhrat e stafit teknik.

Në mesin e fushës, veç fantazisë së Dean Liços, shtohet edhe një tjetër. Uendi Vecaj ka pasur shqetësime muskulore, ndaj as s’do të jetë në 18-she. Me gjithë këto mangësi, duket se hallet e Gvozdenoviçit janë të mëdha.

Në kushtet kur mungon gati 30% e ekipit titullar, trajneri ka nisur të bëjë gati edhe zëvendësimet. Alliu do të jetë në portë në vend të Ruçit, teksa Rapa, i sajuar si ekran në ndeshjet e fundit do të duhet të kthehet në prapavijë për të zëvendësuar Randin. Zenullari është alternativa e vetme për Idrizajn, ndërsa Pecani dhe Alii pritet që të kompletojnë gjithë formacionin bardhekuq.

3232

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"