Skënderbeu rikthehet në Korçë, Ahmataj: Duhet të jemi të përgatitur për Kupën, ju tregoj objektivin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2020 | 10:27

Skënderbeu rikthehet në Korçë, Ahmataj: Duhet të jemi të përgatitur për Kupën, ju tregoj objektivin

Sapo iu dha fund bojkotit të kampionatit, Skënderbeu është rikthyer në Korçë, pas përgatitjeve para-sezonale që i zhvilluan në “Tropical Resort” në Durrës. Tashmë bardhekuqtë po bëhen gati për fillimin e sezonit të ri dhe gjithçka nis ditën e sotme me ndeshjen ndaj Tomorit në Kupë.

Ahmataj

Para kësaj ndeshje, trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj ka dalë në konferencë për shtyp, ku është shprehur se duhet kujdes ndaj Tomorit, teksa ka treguar edhe objektivin e skuadrës që ai drejton.

“Koha e ndërprerjes së kampionatit, na ka shërbyer për të rregulluar manovrat tona. Besoj se kemi përzgjedhur lojtarët që do japin shumë te Skënderbeu, për ta çuar këtë skuadër përsëri në nivele të larta. Më shumë se 70% e skuadrës është ndryshuar.

Ambientimi i lojtarëve që kanë ardhur ka dashur kohën e saj, por pandemia ka ndikuar që ta kemi këtë kohë. Objektivi ynë është të fitojmë çdo ndeshje, i kemi edukuar kështu edhe sportistët të japin maksimumin në çdo ndeshje, pasi qyteti i Korçës dhe Skënderbeu duan gjithmonë rezultate dhe fitore. Ky është objektivi ynë, të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe të përmirësojmë lojën tonë. Objektivat e klubit janë të tjera, ata kanë strategji afatgjata, ne kemi strategji afatshkurtra dhe të mesme. Kemi punuar me orë të zgjatura këtë kohë, që të sjellim një skuadër shumë të mirë në Korçë.

Ekuilibri brenda skuadrës në të dy fazat e lojës, forcimi i grupit dhe forma e lojtarëve, këtu po bazohem. Grupi është me moshë mesatare shumë të re. Kapacitet e tyre fizike mundësojnë që të ushtrojmë presion te kundërshtarët dhe të bëjmë më shumë metra në fushën e lojës.

Skenderbeu Ahmataj

Skënderbeu ka treguar sjellje profesionale dhe kur ka qenë në nivele shumë të larta. Presion nuk është ushtruar te skuadra, ka pasur menaxhim shumë të mirë. Diçka e tillë e lehtëson punën e trajnerit. Duhet të mbajmë presionin larg nga skuadra, kjo ka rëndësi.

Kupa? Jemi të impenjuar maksimalisht për të zhvilluar një ndeshje shumë të fortë nesër. Tomori është një skuadër e fortë e Kategorisë së Parë, kanë ambiciet e tyre dhe janë një ekip me traditë. Nga informacionet që kam, ata kanë formuar një skuadër shumë të fortë, kështu që duhet të jemi të përgatitur”, u shpreh Ahmataj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"