Skënderbeu refuzon planin e FSHF-së për javën e tetë, korçarët kërkojnë që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2019 | 11:59

Skënderbeu refuzon planin e FSHF-së për javën e tetë, korçarët kërkojnë që…

Skënderbeu vihet kundër Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me shortin e dy javëve të fundit të fazës së parë. Shkaku ka qenë zhvendosja e ndeshjeve dhe luajtja e tyre ditën e shtunë, dhe jo të premten, sikundër është përcaktuar paraprakisht nga ana e federatës.

Skenderbeu

Burimet pranë klubit bëjnë me dije se në postën elektronike të klubit ka mbërritur një email, i cili sqaron se në bazë të një plani paraprak, FSHF dhe “SuperSport” kanë përcaktuar që ndeshja e javës së tetë të Superiores përballë Kukësit për korçarët të luhet ditën e premte. Të martën planifikohet të zhvillohet java e fundit e kësaj faze me Skënderbeun që udhëton drejt kryeqytetit në përballje me Partizanin.

Duket se pikërisht kjo ka sjellë edhe reagimin e klubit korçar që u ka nisur një kërkesë me shkrim zyrave të palëve të mësipërme, duke u kërkuar që ndeshjet të luhen përkatësisht të shtunën dhe të mërkurën. Pas këtij letër-propozimi, korçarët janë në pritje të vendimit që do të vijë për sa u përket dy javëve të fundit të fazës së parë të kampionatit.

Prapaskena

Kërkesa e klubit të Skënderbeut për të luajtur ndeshjen të shtunën dhe të mërkurën vjen nga një logjikë e drejtë e korçarëve. Në kushtet kur kombëtaret Shpresa do të mbyllin grumbullimin e tyre të martën dhe lojtarët pritet që të bashkohen me klubin vetëm të mërkurën, për t’u bërë pjesë e stërvitjeve ditën e enjte, koha në dispozicion për të përgatitur këtë takim mbetet e paktë.

skenderbeu

Me këtë kërkesë, Daja pret që të ketë edhe një ditë më shumë në dispozicion të tij për të ambientuar ekipin në kushte loje, sidomos katër futbollistët e grumbulluar nga U-21 respektive të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, duket se thellë-thellë ka edhe një arsye tjetër që e shtyn klubin për të luajtur ndeshjen të shtunën. Pikërisht forma e Turtullit është ajo që mban pezull ekipin dhe veçanërisht prapavijën.

Me një ditë më shumë në dispozicion trajneri bardhekuq shpreson që të rikuperojë në një masë më të madhe mbrojtësin shtatlartë, me qëllim që Dita të zhvendoset në mesin e fushës, atje ku pas dëmtimit të Muzakës është hapur një gropë e thellë. Tashmë nuk dihet saktësisht nëse FSHF-ja do të pranojë kërkesën e Skënderbeut për ta zhvilluar të shtunën ndeshjen e radhës.

Llazi Saro 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"