Skënderbeu plotësohet/ Afrikanët zbarkojnë në Korçë, qetësohet Memelli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2021 | 18:30

Skënderbeu plotësohet/ Afrikanët zbarkojnë në Korçë, qetësohet Memelli

Merr fund pritja e Skënderbeut duke mbyllur kështu me sukses telenovelën ganeze që zgjati gjatë gjithë verës. Ditën e djeshme të dy lojtarët bardhekuq sikundër kishin deklaruar edhe më herët nga klubi dhe vetë ata janë ulur me sukses në Rinas rreth orës 15:30.

skenderbeu

Prej ditës së sotme të dy lojtarët do të vihen në urdhrat e Memellit i cili do të kompletojë kështu të gjithë skuadrën për të marrë formën përfundimtare. Gjithsesi, do të jetë sërish herët që të dy lojtarët të bashkohen me kohë të plotë me skuadrën. Burime nga stafi teknik bënë me dije se Randi dhe Mensah ditën e sotme pritet që të punojnë vetëm individualisht, në mënyrë që të përshtaten me ambientin dhe klimën.

Më pas gjatë së enjtes trajneri bardhekuq ka gati testet fizike që do të tregojnë se çfarë gjendjeje kanë të dy ganezët. Teste të njëjta si ato që ekipi zhvilloi ditën e parë të grumbullimit në 15 korrik. Pasi të mbyllen të gjitha këto, atëherë të dy futbollistët mund të përfshihen në seanca stërvitore të plota me grupin. Kjo do të thotë se pavarësisht mbërritjes në Korçë, Randi dhe Mensah duhet të presin të paktën një javë për të qenë pjesë e plotë e ekipit të ndërtuar nga Memelli sezonin e ri.

240567732_541786780468411_2752692380379507687_n (1)

MERKATO – Me rikthimin e dy lojtarëve që priteshin prej kohësh, duket se Skënderbeu është tërhequr përfundimisht nga merkatoja. I këtij mendimi duket se është Ardjan Takaj, i cili nuk ka ndërmend të shpenzojë më tepër në këtë dritare merkatoje dhe ka plotësuar ekipin me kërkesat e trajnerit. E vetmja mundësi që korçarët të mund të ndërhyjnë do të ishte ndonjë variant “loë-cost” në ditët e fundit të transferimeve që mund t’u shërbente ideve të trajnerit. Në të kundërt do të jetë ky Skënderbeu i sezonit të ri futbollistik që Memelli do të ketë në dispozicion dhe do të tentojë arritjen e objektivave.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"